Please enter at least 3 characters.

Nga kanosje te mashtrimi - këta janë kandidatët me dënime e aktakuza aktive që po kërkojnë votën më 12 tetor

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar një raport të ri në të cilin janë evidentuar kandidatë për kryetarë komunash të cilët kanë probleme me ligjin.

Sipas këtij raporti nga 206 kandidatët për kryetarë të komunave, 8 prej tyre apo 3.9% janë persona të cilët kanë probleme me ligjin.

Ndër ta, katër kanë aktakuza aktive, ndërsa pesë janë dënuar më parë me vendime të formës së prerë.

Nga tetë kandidatët për kryetar të komunave me probleme ligjore, katër janë nga dy parti politike: tre nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe një nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Ndërsa tre kandidatë të tjerë vijnë nga iniciativa qytetare: Bashkimi Demokratik i Prizrenit, Srpska Narodna Sloga dhe Iniciativa Demokracia. Një kandidat tjetër është i pavarur.

Kandidatët që kanë aktakuza aktive janë katër të cilët janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë, 1 prej tyre është në rigjykim kurse për dy të tjerë vendimi nuk është përpiluar ende, kurse një rast është duke u trajtuar nga Gjykata e Apelit.

Sipas IKD-së këta janë kryetarët e komunave që kanë aktakuza aktive: Erden Atiq nga LVV i dënuar në shkallë të parë, rasti në Gjykatën e Apelit. Vepra penale ndaj Atiq është “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike”. Aktakuza ndaj tij është ngritur më 2017.

telegrafi.com

Sami Lushtaku nga PDK, është i dënuar në shkallë të parë ndërkaq rasti është rikthyer në rigjykim. Vepra penale ndaj Lushtakut është “Krim i organizuar lidhur me veprën penale pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”. Aktakuza ndaj tij është ngritur në vitin 2016.

Shkumbin Demaliaj nga Iniciativa Demokracia është kandidati tjetër që ka aktakuzë aktive. Ai është dënuar në shkallë të parë, ndërkaq aktgjykimi nuk është përpiluar. Vepra penale për të cilën akuzohet është “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Aktakuza është ngritur në vitin 2018.

Shkuri Buja nga PDK gjithashtu është dënuar në shkallë të parë, kurse aktgjykimi nuk është përpiluar. Edhe Buja akuzohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Aktakuza edhe ndaj tij është ngritur në vitin 2018.

Raporti i IKD-së ka evidentuar edhe 5 kandidatë të cilët kanë pasur dënime penale të formës së prerë. Këta kandidatë janë:

Arbër Emini kandidat i pavarur në Kllokot. I dënuar me gjobë në shumën prej 200 euro dhe burgim me kusht 90 ditë për veprën penale e cila nga “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” është rikualifikuar në veprën penale “mashtrimi”. Kjo vepror është kryer në vitin 2023.


Sami Lushtaku nga PDK është dënuar me gjobë prej 2 mijë euro për veprën penale “kanosja” të kryer në vitin 2021. Lushtaku gjithashtu është i dënuar me gjobë prej 1,700 euro për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe 12,000 euro për “arratisje e personit të privuar nga liria”. Këto vepra penale janë kryer në vitet 2019 dhe 2020.

Sokol Bashota nga PDK gjithashtu është i dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe gjobë prej 1,200 euro për veprën penale “mos-raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, të kryer në vitin 2021.

Srecko Spariq nga Srpska Narodna Sloga gjithashtu është i dënuar me 10 muaj burgim me kusht për veprën penale “keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar” të kryer në vitin 2017.

Zafir Berisha nga Bashkimi Demokratik i Prizrenit është i dënuar për dy vepra penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”. Berisha është dënuar me 6 muaj burgim që i është zëvendësuar pastaj me 1,500 euro gjobë dhe dënimi tjetër me 140 euro gjobë. Veprat janë kryer në vitin 2024 dhe 2015.

IKD ka gjetur se nga 93 subjekte të certifikuara për këto zgjedhje lokale, në 6 prej tyre paraqiten kandidatë që kanë probleme me ligjin. Në mesin e tyre, 2 janë parti politike, 3 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. /Telegrafi/