Please enter at least 3 characters.

Nga dyshimet te lavdia: De Laurentiis tallet me skeptikët e Contes pas triumfit të Napolit

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka ironizuar të gjithë ata që “kanë dyshuar ndonjëherë” te Antonio Conte, pas triumfit të “Napolitanëve” në Superkupën e Italisë.

Partenopejt fituan Superkupën e Italisë për herë të tretë në histori, pas edicioneve 1990-91 dhe 2014-15, ndonëse vetëm në epokën Diego Armando Maradona kanë arritur ta kombinojnë këtë trofe edhe me Scudetton.

David Neres, pasi kishte shënuar në fitoren 2-0 ndaj AC Milan në gjysmëfinale, realizoi sërish dy gola në finale ndaj Bolognas, duke u shpallur ylli i mbrëmjes.

“A kishit dyshime për Conten? Humbëm 2-0 në Bologna në Serie A, ndërsa këtu e barazuam situatën, me dallimin se, siç thotë miku im Joey Saputo, ky është një turne tjetër dhe kishte një trofe në lojë”, deklaroi De Laurentiis për “Sport Mediaset”, duke iu referuar presidentit të Bolognas.

“Më vjen keq për të, por tani është 1-1, kështu që i presim në Napoli për ndeshjen vendimtare nga tri përballje”.

Një nga përfituesit më të mëdhenj të krizës së lëndimeve në mesfushë ka qenë pikërisht Neres, i cili më parë kishte shumë pak minuta në dispozicion, por ka shpërthyer në skemën e re 3-4-2-1.

Braziliani ka shënuar tre nga katër golat e Napolit, ndërsa këtë sezon numëron gjashtë gola dhe katër asistime në 22 ndeshje.

“Fansave të Napolit mund t’u them vetëm se sezonin e kaluar kishim vetëm Serie A-në dhe Kupën e Italisë, por edhe atëherë u përballëm me shumë lëndime dhe ishim vazhdimisht në fije të perit”, theksoi De Laurentiis.

“E njëjta gjë ndodhi edhe këtë sezon, por ndryshimi është se tani kemi shumë më tepër lojtarë, sepse investuam shumë në afatin kalimtar të verës. Kështu, në fatkeqësi patëm edhe fatin e mirë që u detyruam t’i aktivizonim dhe t’i zbulonim afrimet e reja”.

“Megjithatë, duhet të qëndrojmë të qetë, sepse një pengesë është gjithmonë pas qoshes. Më 28 dhjetor kemi ndeshje tjetër në Serie A ndaj Cremoneses dhe duhet të jemi të kujdesshëm, pa u shpërqendruar”.

“Sonte u kënaqëm, sepse që nga epoka Maradona nuk kishim fituar dy trofe brenda një viti kalendarik, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Fansave u them: ëndërroni pa u ndalur dhe gjithmonë ëndërroni ‘Forza Napoli!”, deklaroi ai./Telegrafi