Please enter at least 3 characters.

Nga bjeshkët e Istogut në dyqanet e Gjermanisë: Si po rindërtojnë jetën shumë familje nga eksporti i bimëve mjekësore

Gazeta “Tageszeitung” e Berlinit shkruan se në malet e Kosovës gjendet një nga biodiversitetet më të pasura dhe më të paprekura në Evropë. Gra të zellshme si Lumnije Musaj kanë klientë në 24 shtete të botës. Industria e bimëve mjekësore dhe aromatike e Kosovës gjeneron gati 20 milionë euro.

Dielli mbi bjeshkët e Istogut zbulon çdo mëngjes një histori të suksesit ekonomik në Kosovën e pasluftës. Lumnije Musaj ecën mbi barin me vesë të Alpeve Shqiptare për të mbledhur me dorë aguliçe. Në fund të ditës, pasi ka mbushur disa thasë me bimë, ajo i gëzohet një fitimi prej rreth 200 euro. Por mbi të gjitha, ky aktivitet përfaqëson rindërtimin e plotë të jetës së saj pas një tragjedie personale.

Gjatë luftës së vitit 1999, paramilitarët serbë ia vranë djalin e vogël dhe e plagosën rëndë atë vetë, duke e lënë me trauma të vazhdueshme. Përfshirja në mbledhjen e bimëve të egra malore nuk ishte thjesht një mjet mbijetese, por një terapi ku, siç shprehet ajo, “ankthet u zhdukën në male”. Sot, kjo grua e prezanton veten me krenari si sipërmarrëse.

Siç raporton gazeta “Tageszeitung” e Berlinit, në malet e Kosovës gjendet një nga biodiversitetet më të pasura dhe më të paprekura në Evropë. Kjo trashëgimi e hershme e mbledhjes së bimëve shërbeu si bazë mbi të cilën, pas shkatërrimit të plotë të infrastrukturës nga lufta, u ngrit një industri eksporti e nxitur nga kërkesa e lartë e Evropës për produkte organike.

Sot, ky sektor përbën një zinxhir furnizimi prej më shumë se 2000 mbledhësish, bujqish dhe pikash grumbullimi, të cilët lidhin fshatrat më të thella kosovare me 111 klientë në 24 shtete të botës. Në vitin 2024, industria e bimëve mjekësore dhe aromatike gjeneroi rreth 18 milionë euro, ku pothuajse e gjithë vjen nga eksporti. Brenda shtatë viteve të fundit, vëllimi i këtij tregu pothuajse është trifishuar.

Lulet e mbledhura në bjeshkët e Istogut përfundojnë te prodhuesi gjerman “Bionorica”, trëndafili i egër përdoret për çajrat organikë të kompanisë austriake “Sonnentor”, ndërsa kërpudhat u shiten me shumicë tregtarëve në Itali dhe SHBA. Në pikën e grumbullimit në Mojstir të Istogut, 27-vjeçarja Blenishta Beqiraj përpunon qindra kilogramë lule të freskëta, të cilat pasi thahen në dhomat industriale, përgatiten për rrugëtimin e tyre drejt tregut evropian.

Sipas gazetës “Tageszeitung” të Berlinit, pika e fundit e grumbullimit përpara eksportit është fabrika e kompanisë “Agroproduct”, eksportuesit më të madh në Kosovë. Aty punojnë krah për krah dhjetëra gra, ndërsa historia e kësaj ndërmarrjeje lidhet ngushtë me themeluesin e saj, Halit Avdijaj.

Avdijaj, i cili kishte emigruar në Zvicër gjatë represionit serb të viteve ‘80-të, u rikthye në atdhe për të ndërtuar një biznes nga zeroja pas shkatërrimit të luftës. Kthesa e madhe për të dhe për gjithë sektorin erdhi në vitin 2005, gjatë pjesëmarrjes në panairin e njohur të produkteve bio “Biofach” në Nürnberg të Gjermanis, ku lidhi kontratat e para afatgjata me blerësit evropianë.

Sot, Gjermania është tregu më i rëndësishëm i këtij sektori, ku rreth 30 kompani gjermane furnizohen me lëndë të parë nga Kosova. Sidoqoftë, ky model suksesi po përballet me sfida të reja serioze. Sektori po vuan nga ikja e fuqisë punëtore dhe emigrimi i të rinjve, veçanërisht pas liberalizimit të vizave me BE-në. Si pasojë, sipërfaqja e mbjellë me bimë mjekësore si kamomili është tkurrur nga 570 hektarë në vitin 2020 në vetëm 225 hektarë.

Ekspertët theksojnë se vendi nuk mund të mbështetet vetëm te një figurë qendrore apo te thjesht eksporti i lëndës së parë pa përpunim lokal. Përveç kësaj, ekziston edhe rreziku i shfrytëzimit të tepërt të natyrës, siç ndodhi me gentianën e verdhë, eksporti i të cilit u ndalua pasi u dëmtua nga mbledhja e pakontrolluar.

Ndryshimi i madh ka nisur nga një gjeneratë e re vajzash e grash të arsimuara jashtë vendit. “Tageszeitung” veçon motrat Blerinda dhe Arnita Veliu nga Polaci i Drenicës. Pasi kryen studimet e nivelit master në SHBA dhe Itali, ato u kthyen në Kosovë për të krijuar markën e tyre të çajit “Botanic”.

Së bashku me të reja të tjera që prodhojnë uthull nga mollët e egra apo vajra esenciale, ato përfaqësojnë një lëvizje të re që po mban më shumë nga vlera e shtuar brenda vendit. Po ashtu, gra si Lumnije Musaj vazhdojnë punën çdo ditë në male, duke u shndërruar nga viktima të luftës në sipërmarrëse që frymëzojnë komunitetin e tyre. /Telegrafi/