Nga 25 korriku, disa zona të Suharekës do të përballen me reduktime të ujit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Sh.A., përmes Njësisë në Suharekë, ka njoftuar se duke filluar nga 25 korriku 2026 do të zbatojë reduktime të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona të Komunës së Suharekës.
Sipas njoftimit, vendimi për reduktime është marrë si pasojë e rritjes së ndjeshme të konsumit të ujit dhe keqpërdorimit të tij gjatë kësaj periudhe.
“Për shkak të rritjes së ndjeshme të konsumit të ujit dhe keqpërdorimit të tij gjatë kësaj periudhe, KRU ‘Hidroregjioni Jugor’ Sh.A. – Njësia Suharekë është e detyruar të zbatojë reduktime të përkohshme të furnizimit me ujë në disa zona të Komunës së Suharekës”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Nga kompania bëhet e ditur se këto masa po ndërmerren me qëllim të sigurimit të një furnizimi sa më të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët.
Sipas orarit të publikuar, reduktimet do të zbatohen në këto zona:
- Fshati Sallagrazhdë: nga ora 20:00 deri në 07:00;
- Zona Industriale – Shirokë: nga ora 17:00 deri në 07:00;
- Rruga magjistrale “Pusi i Atit” deri në Shirokë: nga ora 17:00 deri në 07:00;
- Rruga “Garibaldi” në Suharekë: nga ora 17:00 deri në 07:00;
- Fshati Gjinoc: nga ora 09:00 deri në 17:00;
- Fshatrat Tërnje dhe Nepërbisht: nga ora 09:00 deri në 17:00;
- Fshati Gelancë: nga ora 09:00 deri në 17:00;
- Shirokë – Rruga e Sopijës, lagjja e Buzhalëve: nga ora 17:00 deri në 07:00.
KRU “Hidroregjioni Jugor” u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin ujin e pijshëm në mënyrë të kujdesshme dhe racionale, duke shmangur përdorimet joesenciale.
“Apelojmë te të gjithë qytetarët që ujin e pijshëm ta përdorni me kujdes dhe në mënyrë racionale, duke shmangur çdo keqpërdorim, si ujitja e sipërfaqeve të gjelbra, larja e automjeteve apo përdorime të tjera joesenciale”, thuhet në njoftim.
Kompania ka theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të qytetarëve mund të sigurohet një furnizim sa më i qëndrueshëm me ujë gjatë kësaj periudhe. /Telegrafi/


