Netanyahu: Irani tentoi të vriste një nga djemtë e mi
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Irani ka tentuar të vrasë një nga djemtë e tij, por nuk dha detaje se kur ka ndodhur tentativa, cili prej djemve ishte shënjestër apo sa pranë realizimit ishte komploti.
Deklarata u bë gjatë një interviste telefonike për televizionin izraelit Channel 14, në një kohë tensionesh të larta mes Izraelit dhe Iranit, transmeton Telegrafi.
Netanyahu tha se kërcënimi ndaj familjes së tij tregon se mbrojtja e zyrtarëve dhe kandidatëve politikë nuk është një luks, duke kërkuar që autoritetet izraelite të sigurojnë mbrojtje të përshtatshme për kandidatët për kryeministër.
“Irani tentoi të vriste një nga djemtë e mi”, deklaroi Netanyahu, pa specifikuar se cilin prej tyre kishte në mendje.
Nuk është bërë e ditur nëse bëhej fjalë për djalin e tij të madh, Yair Netanyahu, i cili jeton në Miami, apo për djalin tjetër.
Deri tani, autoritetet iraniane nuk kanë dhënë një reagim zyrtar ndaj akuzës.
Deklarata e Netanyahut vjen në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael dhe në një klimë të tensionuar sigurie, pas përshkallëzimit të konfliktit me Iranin. /Telegrafi/


