Nëntë banka evropiane krijojnë një kompani, do të emetojnë kriptomonedha
Banka italiane UniCredit dhe ajo austriake Raiffeisen Bank International kanë njoftuar se, së bashku me edhe shtatë banka të tjera evropiane, do të themelojnë një kompani që do të emetojë një kriptovalutë “të denominuar në euro” dhe të mbuluar me asete tradicionale financiare.
Përveç UniCredit dhe Raiffeisen Bank International, grupi përfshin edhe bankën belge KBC, bankën daneze Danske Bank, gjermane DekaBank, suedeze SEB dhe spanjolle CaixaBank, ndërsa është e mundur që t’i bashkohen edhe banka të tjera, thuhet në deklaratë.
Selia e kompanisë së re do të jetë në Holandë dhe do të funksionojë me licencë dhe nën mbikëqyrjen e bankës qendrore holandeze si një institucion parash elektronik.
Emetimi i kriptovalutës së mbuluar me asete tradicionale dhe “të denominuar në euro” është planifikuar për gjysmën e dytë të vitit 2026 dhe do të jetë në përputhje me rregulloret e BE-së për tregjet e kripto-aseteve (MiCA), duke mundësuar pagesa të shpejta dhe me kosto të ulët, 24 orë në ditë, tha zëdhënësi i DekaBank në Gjermani, raporton reuters.
Emetuesit lidhin paratë digjitale me monedha standarde si dollari apo euro, por edhe me mallra si ari dhe argjendi apo instrumente financiare, për të shmangur luhatjet e papritura të vlerës.
Kriptovaluta ofron potencial për transaksione ndërkufitare efikase, pagesa të automatizuara dhe përmirësime në menaxhimin e zinxhirit të furnizimit dhe në përpunimin e aseteve digjitale, thekson deklarata e grupit të bankave.
Përdorimi i teknologjisë blockchain do të sigurojë një regjistër elektronik publikisht të disponueshëm të të gjitha transaksioneve të pagesave. Pozitat udhëheqëse në tregun ndërkombëtar të kriptovalutave të mbuluara me asete tradicionale aktualisht i mbajnë kompanitë amerikane Tether, Circle dhe Ripple.
Një nxitje shtesë për emetimin e kriptovalutave në SHBA ka ardhur në mesin e korrikut nga presidenti Donald Trump përmes “Ligjit GENIUS”, i cili kërkon që çdo kriptovalutë e re të mbulohet 100 për qind me asete likuide si dollari apo obligacionet afatshkurtra shtetërore, si dhe raporte mujore mbi përbërjen e rezervave.
Sipas deklaratës së Shtëpisë së Bardhë, ky ligj “do të gjenerojë një kërkesë të shtuar për borxhin amerikan dhe do të forcojë statusin e dollarit si valuta rezervë globale”. Ndërkohë, eurozona ka vendosur të emetojë një valutë digjitale përmes institucionit të saj monetar qendror – Bankës Qendrore Evropiane.
Konsorciumi prej nëntë bankash evropiane thekson se synon të krijojë një alternativë evropiane ndaj tregjeve të kriptovalutave, të cilat aktualisht dominohen nga SHBA, në mënyrë që të forcohet autonomia strategjike e Evropës në fushën e pagesave. /Telegrafi/


