Në shkollën “Thimi Mitko” mbahet ligjëratë nga Policia kundër dukurive negative
Policia e Kosovës, përmes Njësisë së Komunitetit të Stacionit Policor në Gjilan, ka mbajtur sot një ligjëratë ndërgjegjësuese me temën “Parandalimi i dukurive negative dhe drogave”, në shkollën fillore “Thimi Mitko” të këtij qyteti.
Ligjërata iu drejtua nxënësve të klasave të VII-ta dhe VIII-ta, duke vënë theks të veçantë tek pasojat që sjellin dukuritë negative dhe përdorimi i substancave narkotike në jetën dhe mirëqenien e të rinjve.
Gjatë bashkëbisedimit, u nënvizua roli i rëndësishëm i mësimdhënësve, stafit mbështetës dhe vetë nxënësve në identifikimin, parandalimin dhe raportimin e rasteve të tilla.
Ky aktivitet bën pjesë në një sërë iniciativash që Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan po zhvillon në bashkëpunim me institucionet arsimore, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurt dhe mbështetës për të gjithë nxënësit.


