Please enter at least 3 characters.

Në Podujevë hapet ekspozita etnografike “ODA – Shkolla e Urtësisë”

Ekspozita etnografike “ODA – Shkolla e Urtësisë” është hapur në Galerinë e Qytetit në Podujevë, duke sjellë para vizitorëve një koleksion të pasur të objekteve tradicionale që pasqyrojnë historinë, kulturën dhe mënyrën e jetesës së brezave të mëparshëm.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi, të cilët u pritën nga organizatori i ekspozitës, Nebi Balaj.

Sipas organizatorëve, ekspozita organizohet për të katërtin vit me radhë dhe synon të promovojë trashëgiminë kulturore dhe etnografike, duke e afruar atë me publikun, veçanërisht me gjeneratat e reja.

Nënkryetari Restelica vlerësoi angazhimin e Nebi Balajt për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

“E falënderoj bacën Nebih për këtë iniciativë, e cila po organizohet për të katërtin vit me radhë. Kjo ekspozitë na prezanton me vlera të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore dhe është një mundësi e shkëlqyer, veçanërisht për gjeneratat e reja, të njihen me mënyrën e jetesës dhe traditat e të parëve tanë”, tha Restelica.

Ekspozita “ODA – Shkolla e Urtësisë” do të qëndrojë e hapur për vizitorët në objektin e Galerisë së Qytetit në Podujevë, ku të interesuarit do të kenë mundësi të shohin nga afër një pjesë të pasurisë etnografike të Kosovës. /Telegrafi/