Në një bodrum të një banese dhe në një shtëpi, konfiskohen rreth 5.5 kilogramë substancë narkotike dhe një armë - arrestohen dy persona në Ferizaj
Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike” si dhe “mbajtja në pronësi ose kontroll i paautorizuar i armës”.
Rasti është iniciuar më 31 gusht 2026, rreth orës 20:50, në dalje të Autostradës “Arbër Xhaferi”, në Bibaj.
Pas një pune intensive hetimore, njësitë relevante policore më 2 shtator kanë arrestuar dy të dyshuar meshkuj, njëri shtetas i Shqipërisë dhe tjetri shtetas i Kosovës.
Gjatë bastisjes në dy lokacione në Ferizaj – një bodrum të një banese dhe një shtëpi banimi, të cilat dyshohet se shfrytëzoheshin dhe banoheshin nga të dyshuarit – policia ka gjetur dhe konfiskuar një sërë provash materiale.
Në mesin e dëshmive të konfiskuara janë rreth 5.5 kilogramë substancë narkotike, me vlerë të përafërt të tregut prej 8 mijë eurosh, si dhe 2,250 euro dhe 18,500 lekë para të gatshme.
"Dalja e Autostradës Arbër Xhaferi, Bibaj 31.08.2026 – 20:50. Lidhur me veprat e cekura penale, njësitë relevante të policisë gjatë një pune intensive me 02.09.2026, kanë arrestuar dy të dyshuar meshkuj njëri shtetas i Shqipërisë dhe tjetri i Kosovës. Në dy lokacione një bodrum të një banese dhe një shtëpie banimi në Ferizaj të cilat i kanë shfrytëzuar dhe banuar të dyshuarit gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar si dëshmi materiale: rreth 5.5 kg substanca narkotike me vlerë totale të tregut rreth 8000 euro, 2250 euro para të gatshme, 18500 lekë para të gatshme, një veturë me targa të Shqipërisë, një çantë me dokumente të ndryshme, një armë-pistoletë, 5 copë fishekë shkollor, 1 USB, dy kartela të bankës, disa SIM kartela, një peshore digjitale, foli dhe qese transparente për paketim, një pasaportë dhe dy telefona celular", thuhet në raport.
Ndërkaq, dy të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/


