Nuk ka arritur as sot të konstituohet Kuvendi i Kosovës për të dhjetë herë me radhë.
Procesi i konstituimit të Kuvendit ka ngelur pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Në seancën e sotme nuk kaloi propozimi i kryesuesit Avni Dehari për formimin e Komisionit zgjedhor për kryetarin e Kuvendit që do të mundësonte votim të fshehtë. Pas kësaj u ndërpre seanca, për siç u tha në mungesë të kuorumit.
Ndryshe, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt 2025 dhe ende nuk kemi Kuvend të konstituuar.
Telegrafi.com do të ju mbajë të informuar në kohë reale me të gjitha zhvillimet. /Telegrafi/
03/05/2025 10:42-Ndërpritet seanca, vazhdon të hënën
54 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim ishte votimi në Kuvend lidhur me propozimin e kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari për Komision zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e që do të mundësonte votimin e fshehtë. Pas këtij votimi, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari ndërpreu seancën konstituive për siç tha në mungesë kuorumi. Ai theksoi se seanca do të vazhdojë të hënën, në ora 10:00.
03/05/2025 10:39-Krasniqi i PDK-së, kryesuesit Dehari: Mos e shkelni Kushtetutën
Pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari kërkoi emrat e partive politike për Komisionin që mundëson votim të fshehtë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi doli në foltoren e Kuvendit. Krasniqi kërkoi nga kryesuesi Dehari që të mos shkel ligjin dhe Kushtetutën. “I nderuari kryesues ju ftojë që përkundër presionit nga partia që i takoni mos të bëheni pjesë e shkeljes ligjore dhe kushtetuese dhe mos i vendosni vetit njollë”, tha ai. Pas kësaj, Dehari tha se nuk ka diskutim në seancën konstituive, por ta tregoj emrin për Komision nëse e kanë. “Nuk ka propozim, mos e shkelni Kushtetutën... mos e bëni cirk këtë Kuvend”, tha ai. K-së, kryesuesit Dehari: Mos e shkelni Kushtetutën
03/05/2025 10:38-Dehari kërkon nga partitë parlamentare emrat për Komision zgjedhor të kryetarit të Kuvendit
Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari sërish ka kërkuar që të propozohen emrat për 'Komisionin zgjedhor' për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e që do të mundësonte votimin e fshehtë. Ai tha se LVV ka propozuar Hekuran Muratin, ndërkaq kërkoi emrat edhe të PDK-së, LDK, AAK-së, Listës serbe, etj. Këto parti nuk paraqitën emrat, pasi janë kundër votimit të fshehtë.
03/05/2025 10:12-Çitaku: PDK nuk do të marrë pjesë nëse votohet sërish fshehtas për kryeparlamentarin
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se ata nuk do të marrin pjesë në votimin për kryetarin e Kuvendit në rast se edhe këtë herë propozohet një proces me votim të fshehtë. Para gazetarëve, Çitaku tha se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar dhe se nëse përsëritet metoda e njëjtë e votimit, veprimi i partisë do të jetë i njëjtë. “I ngjashëm ( do të jetë veprimi i PDK-së)”, ka thënë Çitaku.
03/05/2025 10:05-Gërvalla: Do të mbajmë një takim me grupin parlamentar, do ta diskutojmë cila do të jetë qasja
Kryetarja e Lista Guxo, Donika Gërvalla tha se partitë, PDK, LDK e AAK po e zgjasin ngërçin politik derisa siç tha ajo t’iu vijë “ndonjë ndihmë nga jashtë”. Ajo tha se para nisjes së seancës konstituive do të mbajnë një takim konsultativ për të diskutuar për qasjen që do të kenë sot. Gërvalla theksoi se vota e fshehtë është mënyrë e mirë për të tejkaluar këtë bllokadë të vazhdueshme nga opozita. “Ne tani do të vazhdojmë me takimin në grupin parlamentar së bashku me kryeministrin dhe deputetët e grupit tonë parlamentar dhe do ta diskutojmë se cila do të jetë qasja sot..”, tha ajo.
03/05/2025 09:59-Haradinaj: Kam dëgjuar që ka përpjekje të gjendet një kandidaturë unifikuese
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se po shpresojnë që të kenë një kandidat unifikues, një propozim të ri dhe të votohet sot kreu i Kuvendit. Ai tha se ka dëgjuar disa mundësi që do të ketë përpjekje për kandidaturë unifikuese. “Votimi është i hapur... mund të ndryshojë mënyra e votimit nëse është vullneti i deputetëve, por nëse s’ka vullnet nuk mundet”, tha ai.
03/05/2025 09:50-A do të zgjidhet kryeparlamentare, Haxhiu: Pyetni opozitën
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu nuk tregon nëse sot do të mund të zgjidhet kryetare e Kuvendit. Haxhiu shkurt pa u ndal para mediave tha “pyetni opozitën”. “Pyetni opozitën”, tha ajo.
03/05/2025 09:47-Bajrami nga LDK: Ndryshimi i mënyrës së votimit gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit është shkelje
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami sot para nisjes së seancës konstituive tha se ndryshimi i mënyrës së votimit gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës është shkelje. Bajrami në një deklaratë për media theksoi se nuk është LDK që duhet të ndërroj qëndrim për konsituimin e Kuvendit. “Nuk jemi ne ata që duhet të ndërrojmë qëndrim. Po e dini kush duhet të ndërroj qëndrim dhe kush duhet të lëviz për ta bërë konstituimin”, tha ajo. Bajrami tutje theksoi se nëse ndryshon mënyra e votimit gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit është shkelje. “Kjo ka qenë e mundshme në fillim të procesit, jo tash sepse jemi në proces të votimit”, tha ajo.
03/05/2025 09:40-Murati: Uroj që të ketë ndërruar qëndrim opozita
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati para fillimit të seancës së Kuvendit tha se uron që të ketë ndërruar qëndrim, siç tha ai opozita. “Uroj që të ketë ndërruar qëndrim opozita për të zhbllokuar procesin”, tha ai shkurt.