Ndërmjet popullit dhe politikanëve është krijuar një hendek i madh
Populli ynë, edhe pse i lënë pas popujve të ndryshëm të Evropës në shumë aspekte, në intervale të ndryshme kohore gjatë historisë ka ditur t`i çmojë njerëzit e vetë. Përkrahja morale, politike, shoqërore, ka qenë e shprehur vazhdimisht nga ana e popullit dhe veçanërisht populli i ka përkrahur ata njerëz që në mënyrat më të mira kanë ditur të artikulojnë kërkesat e vazhdueshme të tij për çlirim e liri kombëtare, kërkesat për mirëqenie ekonomike, kërkesat për përparim të vazhdueshëm në të gjitha pikëpamjet.
Historikisht dihet se asnjë popull në botë dhe as populli ynë nuk mundi të zhvillohet e të përparojë duke qenë i pushtuar, i shtypur, i kolonizuar e i shfrytëzuar nga të huajt. Për tu çliruar nga pushtuesit, popujt e ndryshëm, por edhe populli ynë vazhdimisht është mobilizuar dhe ka luftuar për realizimin e të drejtës për liri kombëtare. Dhe natyrshëm, për të arritur këtë qëllim, populli ynë, si çdo popull tjetër liridashës, ka pasur nevojë dhe e ka parë të arsyeshme që dikush duhet t`i prijë në realizimin e aspiratës mbarëkombëtare. Këtë populli ynë e ka bërë vazhdimisht. Në ballë të popullit, nga gjiri i tij, kanë dalë njerëz të cilët e kanë udhëhequr në rrugën e lirisë kombëtare.
Në kohërat më të vështira, në kohërat kur rrezikohej seriozisht qenia kombëtare, njerëz të zotë, luftëtarë të paepur për liri, intelektualë të njohur, shtresat e gjera të popullit, i kanë dalë zot atdheut dhe populli i ka përkrahur, u ka dhënë zemër e besë, përkrahje aq të madhe, sa që na e kanë zili edhe popujt e tjerë të Evropës e Botës.
Duke qenë një popull liridashës, duke luftuar vazhdimisht për liri kombëtare, ky popull arriti të mbijetojë dhe mbi të gjitha të ruajë gjuhën, flamurin, kulturën dhe traditat tona kombëtare. Të mos harrojmë se në botë ka pasur popuj që kanë ekzistuar në periudhat e ndryshme historike, por tani nuk janë më, që domethënë janë zhdukur!
Kjo do të thotë që nuk qëndron teza e disa pseudoshkencëtarëve, që thonë se popujt nuk zhduken. Populli që fle zhduket! Kjo nuk vlen për popullin tonë. Populli ynë nuk ka fjetur dhe se as tani nuk fle, sepse populli që në shpirt ka lirinë, nuk fle dhe nuk zhduket! I tillë është populli ynë!
Edhe pse populli ynë me prijësit që pati vazhdimisht bëri përpjekje, luftoi, u sakrifikua, u flijua për lirinë kombëtare, kjo liri e shumëpritur akoma nuk erdhi. Kjo ndodhi për shumë arsye, por njëra ndër arsyet themelore është se ndërmjet popullit dhe prijësve të tij (politikanëve) është krijuar një hendek i madh, një zbrazësirë shumë e madhe.
Ky hendek i madh është krijuar pikërisht nga këta politikanë që “udhëheqin popullin”. Ky hendek i madh ka filluar të krijohet sidomos në 10 vitet e fundit dhe çdo ditë e më tepër po thellohet. Përderisa në vitet e mëparshme gati i gjithë populli ishte me ta, sot shihet se besueshmëria që pati populli në ta vazhdimisht po bie dhe nëse i referohemi rezultateve të pjesmarrjes në zgjedhjet e fundit në Kosovë, kjo besueshmëri ka rënë në nivelin 40%, me tendencë të zbritjes së mëtutjeshme.
Pse ndodhi kjo?! Pse tani në kohët e sotme, nuk u jep besim populli politikanëve?!
Kjo për arsye se populli ua ka kthyer shpinën politikanëve, ngase ka shumë kohë që ata(politikanët) të parët ia kanë kthyer shpinën popullit.
Arsyeja tjetër që ka ndikuar dhe po ndikon në krijimin e thellimin e mosbesimit është ndarja në shumë parti e organizata politike, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipërinë Londineze, në trojet shqiptare nën Maqedoni, në trojet shqiptare në Kosovë Lindore, në trojet shqiptare nën Mal të Zi dhe në të gjitha vendet ku frymojnë shqiptarët, madje edhe diaspora është e ndarë.
Partitë politike, sidomos ato që patën rastin të marrin pushtetin në Kosovë, të vetëquajtura parti të mëdha (sepse të gjitha së bashku nuk e kanë as 35% të popullit pas vetes), kanë nevojë për popullin vetëm gjatë fushatave të tyre para zgjedhore, një muaj para zgjedhjeve, ndërsa me të marrë votat, të gjitha këto parti harrojnë se kush ua dha votën, harrojnë nga kush janë zgjedhur, deri në zgjedhjet pasardhëse.
Ato e kanë shndërruar pushtetin në një monopol të tyre, monopol që do t`u shërbejë vetëm interesave klanore të tyre, ndërsa tek populli nuk arrijnë dot, sepse tash e tutje hendeku që kanë krijuar ato me popullin është shndërruar në një humnerë të thellë!
Pasi kanë parë që nuk mund të krijojnë besim tek populli, përfaqësuesit e këtyre partive tani kanë zgjedhur rrugën e rikombinimit të tyre, duke kaluar nga njëra parti tek tjetra por duke mbetur prapë të njëjtit që kanë qenë deri në ditët e sotme.
info@lib-ks.org


