Naftëtarët paralajmërojnë rritje të sërishme të çmimit të naftës: Furnizimi arrin 1.73 euro për litër
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka paralajmëruar se çmimet e derivateve mund të rriten në ditët në vijim, si pasojë e rritjes së ndjeshme të çmimeve në bursat ndërkombëtare.
Në një njoftim për opinionin publik, Shoqata ka bërë të ditur se përshkallëzimi i fundit i tensioneve në Iran dhe vazhdimi i krizës gjeopolitike kanë shkaktuar rritje të madhe të çmimeve të derivateve gjatë dy ditëve të fundit, duke krijuar pasiguri dhe çrregullime në tregun e furnizimit.
Sipas Shoqatës së Naftëtarëve, çmimet kanë arritur nivelin më të lartë që nga 8 prilli 2026, ndërsa aktualisht kostoja e furnizimit është rreth 1.73 euro për litër.
Shoqata thotë se në shumë raste kjo kosto tashmë e tejkalon edhe çmimin aktual të shitjes me pakicë në pikat e karburanteve.
Nëse kjo situatë vazhdon, rritja e kostos së furnizimit pritet të reflektohet edhe në çmimet e shitjes me pakicë gjatë ditëve të ardhshme.
“Operatorët tashmë po furnizohen me çmime dukshëm më të larta, ndërsa stoqet ekzistuese po zëvendësohen gradualisht me produkt të blerë sipas kushteve të reja të tregut”, thuhet në njoftim.
Sipas Shoqatës, presioni mbi çmimet mund të vazhdojë edhe më tej për shkak të tensioneve gjeopolitike, rritjes së kërkesës dhe rënies së nivelit të stoqeve në Evropë, Azi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka bërë të ditur se po e përcjell me kujdes situatën dhe u ka bërë thirrje institucioneve dhe opinionit publik që zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të trajtohen me përgjegjësi dhe mirëkuptim.
Sipas saj, çdo rritje e mundshme e çmimeve në Kosovë nuk buron nga tregu vendor, por është pasojë e rritjes së menjëhershme dhe të jashtëzakonshme të kostos së furnizimit në tregjet ndërkombëtare./Telegrafi/


