Mustafa përsërit kundërshtimin e tij për tregun e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook ka bërë të ditur se Republika e Kosovës duhet ta refuzojë idenë e tregut të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor.“Kam thirrur sot në takim ministrat Enver Hoxhaj, Hykmete Bajrami dhe Mimoza Ahmetaj, drejtorin e Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ekspertët Petrit Gashi e Gazmend Qorraj, si dhe këshilltarët e mi të ekonomisë, ku diskutuam gjerësisht për propozimin e prezantuar në Samitin e Sarajevës për krijimin e një tregu të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor.Shqyrtuam të gjitha aspektet dhe argumentet ekonomike, politike dhe integruese që lidhen më këtë iniciativë, duke ndarë bashkërisht mendimin se një treg i tillë nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve ku pretendohej të shtrihej, dhe se Republika e Kosovës duhet ta refuzoj një ide të tillë.Gjatë takimit, biseduam edhe për Marrëveshjen e CEFTA-s dhe vështirësitë që po hasin qytetarët e Kosovës në lëvizjen e lirë në rajon dhe më gjerë, ku ne duhet të angazhohemi edhe më shumë për tejkalimin e këtyre problemeve. Në këtë aspekt, Kosova është lider në qasjen e saj, duke shmangur pengesa artificiale, të cilat vijnë në shprehje tek disa prej shteteve tjera, përkundër se janë pjesë e CEFTA-s.Republika e Kosovës është plotësisht e përkushtuar në rrugën integruese në BE dhe do të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme, duke përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara, në këtë rrugë.Por, Republika e Kosovës e konsideron të paqëlluar çdo lloj Unioni Doganor apo Tregu të përbashkët rajonal, i cili risjellë në opinion reminishenca të së kaluarës, të cilat nuk janë në interes të të gjitha vendeve.Republika e Kosovës mbështet pa asnjë ekuivok bashkëpunimin dhe intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, eliminimin e mëtejshëm të barrierave të të bërit biznes me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe angazhimin e përbashkët për tërheqjen e investimeve të huaja, por të gjitha këto në kuadër të proceseve integruese në BE” (sic.), ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/


