Muajin e ardhshëm, Kosova qendër e hendbollit botëror
Australia ka caktuar ekipin me të cilin do të udhëtojë për në Kosovë pas afro një muaji. Australia është njëra prej 18 përfaqësueseve botërore në hendboll, që do të garojë në kampionatin e shteteve në zhvillim që do të mbahet në Kosovë nga 18 deri më 26 qershor, shkruan sot "Koha Ditore".
Kjo garë organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF), për herë të parë. Qëllimi i garës është të ndihmojë zhvillimin e hendbollit në vendet ku ky sport nuk është ende shumë i zhvilluar. IHF-ja ka përzgjedhur Kosovën që të organizojë kampionatin në të cilin do të luajnë hendbollistët seniorë, por jo më të vjetër se 30 vjet.
Australia do të përfaqësojë Oqeaninë në këtë ngjarje inauguruese që është prezantuar nga IHF-ja si pjesë e planit për zhvillim që e përkrah kjo Federatë.
Fillimisht është thënë se do të jenë 20 përfaqësuese, por dy prej tyre kanë hequr dorë. Nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë përfaqësuese tjetër të heqë dorë nga gara, por në turne do të jenë së paku 16 përfaqësuese.
"Është ky kampionati i parë i shteteve në zhvillim. Zyrtarisht jemi informuar se prej 20 shteteve të ftuara dy janë tërhequr. Nuk e dimë cilat, por ka mundësi që për arsye të ndryshme të tërhiqen edhe dy tjera. Aktualisht janë 18 përfaqësuese që duhet të marrin pjesë", ka thënë të dielën sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci. /koha.net/


