Please enter at least 3 characters.

MPJ e Maqedonisë konfirmon se Beg Rizaj e Mirsad Ndrecaj ishin të arrestuar (Video)

2016/01/mpj-e-maqedonis-euml-konfirmon-se-beg-rizaj-e-mirsad-ndrecaj-ishin-t-euml-arrestuar-video_hd.jpg

“Ajo ishte listë preliminare, e të gjithëve në identifikim, dhe ne si Ministri e Jashtme e kemi marrë për përdorim të mëtutjeshëm. Atë e përcollëm edhe deri tek Ambasada e Kosovës në Shkup”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Ministrisë së jashtme për televizionin Alsat M.

Në këtë listë preliminare, siç e quan MPJ, nuk figurojnë emrat e tetë personave të tjerë që humbën jetën gjatë aksionit, por qëndrojnë të Mirsad Ndrecajt dhe Beg Rizaqjt.

Nga dikasteri i Nikolla Poposkit nuk japin asnjë shpjegim për fatin e dy kryesuesve të grupit të Kumanovës. Alsat-M iu drejtua sot me të tjera pyetje Ministrisë së Jashtme, se si ka ndodhur që në momentin e shkresës zyrtare të dërguar institucioneve kosovare, Shkupi zyrtar ka thënë se Rizaj dhe Ndrecaj janë të gjallë dhe të arrestuar, ndërsa vetëm pak ditë më vonë Ministria e Brendshme njoftoi se të dy gjenden në mesin e viktimave.

Alsat-M pyet gjithashtu MPJ-në se pse në këtë listë preliminare që është dërguar tre ditë pas aksionit në Kumanovë nuk figurojnë emrat e tetë personave të tjerë që kanë humbur jetën gjatë aksionit: Xhafer Zymeraj, Valon Kabashi, Turgaj Gashi, Arben Rexhaj, Sami Kastrioti, Hisen Rushiti, Fatlum Vishesela dhe Nusret Kaloshi.

Deri në këtë moment nuk ka përgjigje plotësuese nga Ministria e Jashtme edhe pse premtuan se do të përgjigjen brenda ditës.

Ambasadori i Kosovës, Ylber Hysaj, nga ana tjetër vazhdon të hesht dhe të mos bashkëpunojë me mediat për të zbardhur të vërtetën e plotë rreth dokumentit të adresuar për të nga institucionet e Shkupit.

Dokumenti i Ministrisë së Jashtme drejtuar Ambasadës së Kosovës ku thuhet se Komnadant NATO dhe Komandant Begu janë të arrestuar, mban datën 12 maj, ndërsa vetëm një ditë më vonë, Ministria e Brendshme përmes një komunikate zyrtare për mediat i shpalli të vrarë të dy kosovarët.

Zbardhja e të vërtetës për rastin e Kumanovës mund të bëhet vetëm me hapjen e një hetimi mbi ngjarjet e 9 dhe 10 majit. Deri tani zyrtarisht një gjë të tillë nuk e ka kërkuar askush. Hetim të ri mund të kërkojnë autoritet e Kosovës, por edhe ato të vendit, të cilët deri tani nuk kanë treguar gatishmëri për një gjë të tillë.