Please enter at least 3 characters.

Momenti që se ka pa askush: Ylli i Anglisë ndërpreu intervistën e Messit pas ndeshjes – ja çfarë i tha ai

Marc Guehi tregoi një gjest të madh sportiv pas përfundimit të gjysmëfinales dramatike të Kupës së Botës mes Anglisë dhe Argjentinës.

Mbrojtësi anglez iu afrua Lionel Messit në zonën mikse të stadiumit në Atlanta, teksa kapiteni i Argjentinës po zhvillonte një intervistë për televizionin argjentinas pas fitores 2-1 të “Albicelestëve”.

Argjentina siguroi një vend në finalen e Kupës së Botës, ku do të përballet me Spanjën, pasi skuadra e drejtuar nga Lionel Scaloni përmbysi Anglinë në një ndeshje të tensionuar dhe me shumë duele fizike.

Takimi u shoqërua me shumë ndërhyrje, sidomos në pjesën e parë, ku u regjistruan gjithsej 19 faulle, 12 prej tyre nga Argjentina.

Giuliano Simeone ishte lojtari që shkaktoi më së shumti ndërhyrje, duke kryer pothuajse gjysmën e faulleve të skuadrës së tij në fraksionin e parë, por pa u ndëshkuar me karton të verdhë.

Megjithatë, pavarësisht rivalitetit të madh në fushë, Guehi tregoi respekt maksimal për një nga legjendat më të mëdha të futbollit.

Teksa kaloi pranë Messit, mbrojtësi anglez i tha në spanjisht: “Fat të mbarë në finale.”

Messi ndërpreu për një moment intervistën dhe e falënderoi për gjestin.

“Faleminderit, shihemi”, iu përgjigj kapiteni argjentinas.

Pas ndeshjes, Guehi foli edhe për zhgënjimin e Anglisë pas eliminimit dhe pranoi se skuadra duhej të kishte vazhduar të kërkonte më shumë pas golit të avantazhit./Telegrafi/