Please enter at least 3 characters.

Misioni i OSBE-së mbështet Institucionin e Avokatit të Popullit në ngritjen e vetëdijesimit për krimet e urrejtjes në Kosovë

Misioni i OSBE-së ka mbështetur Institucionin eAvokatit të Popullit në ngritjen e vetëdijesimit për krimet e urrejtjes nëKosovë dhe inkurajon raportimin e tyre.

Kështu bëhet e ditur përmes një publikimi në faqen zyrtare të Misionit të OSBE-së.

Tutje në këtë artikull bëhet e ditur se krimet e urrejtjes kanë pasoja serioze për individët dhe komunitetet, e megjithatë shumë nga këto incidente nuk raportohen.

Për të rritur vetëdijesimin e publikut dhe për të inkurajuar raportimin, Institucioni i Avokatit të Popullit, me mbështetjen e OSBE-së, ka lansuar një fushatë të fokusuar në krimet e urrejtjes.

Fushata përfshin një seri videosh të transmetuara në transmetuesin publik të Kosovës, RTK. Ato informojnë publikun mbi efektet e dëmshme të krimeve të urrejtjes, shërbimet në dispozicion për viktimat, si dhe mënyrat e sigurta për raportimin e këtyre incidenteve tek institucionet përkatëse, duke përfshirë Institucionin e Avokatit të Popullit dhe Policinë e Kosovës. Videot ofrojnë edhe udhëzime për mënyrën se si viktimat mund të kërkojnë ndihmë dhe mbështetje.



“Videot shërbejnë si burim i rëndësishëm edukativ dhe informues, veçanërisht për të rinjtë, duke e rritur vetëdijesimin e publikut lidhur me pasojat e gjuhës së urrejtjes, diskriminimit dhe dhunës së motivuar nga paragjykimet në bazë të racës, përkatësisë etnike, fesë, gjinisë, orientimit seksual, aftësisë së kufizuar apo çdo statusi tjetër të mbrojtur,” tha Avokati i Popullit, Naim Qelaj.

“Së bashku me Misionin e OSBE-së po ndihmojmë në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku çdo individ ndihet i sigurt, i respektuar dhe i barabartë para ligjit,” shtoi ai.

Në vitin 2025, Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka pranuar asnjë ankesë zyrtare që lidhet me incidente të urrejtjes, ndërkohë që Policia e Kosovës ka raportuar për shtatë raste, duke ngritur shqetësime se rastet e kësaj natyre mund të mbesin të pa-raportuara. Kjo mungesë raportimi e bën të vështirë vlerësimin e shkallës reale të problemit dhe ofrimin e mbështetjes adekuate për viktimat. Si përgjigje ndaj kësaj situate është lansuar fushata me video për të inkurajuar raportimin, për të ndërtuar besimin në institucione dhe për të siguruar që viktimat janë të informuara për të drejtat e tyre.



“Nuk mjafton vetëm ngritja e vetëdijes,” tha Ambasadori Gerard McGurk, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Kur njerëzit e kuptojnë çka janë krimet e urrejtjes, ata e kanë më të lehtë t’i dallojnë ato, t’i raportojnë dhe t’i parandalojnë që mos përsëriten më. Edhe pse krimet e urrejtjes mund të mbeten të padukshme, pasojat e tyre nuk do të jenë”.




Duke i inkurajuar viktimat dhe publikun t'i raportojnë rastet, fushata i ndihmon autoritetet të mbledhin të dhëna më të sakta, të domosdoshme për hartimin e masave efektive mbrojtëse dhe për të siguruar që asnjë viktimë të mos mbetet pa mbështetje. /Telegrafi/