Please enter at least 3 characters.

Ministria e Kulturës: Qendra Historike e Prishtinës është nën mbrojtje që nga viti 2020

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka reaguar lidhur me raportimet e fundit për zbatimin e Ligjit për Trashëgimi Kulturore në Qendrën Historike të Prishtinës, duke theksuar se ky aset është nën mbrojtje që nga viti 2020.

Në një reagim të publikuar në Facebook, ministria ka sqaruar se statusi i mbrojtjes së Qendrës Historike të Prishtinës ka paraprirë miratimin e Planit të Konservimit.

“Është e pakontestueshme se Qendra Historike e Prishtinës është nën mbrojtje që nga viti 2020. Me përfshirjen e saj nën mbrojtje janë përcaktuar edhe kufijtë e asetit, përkatësisht perimetri dhe zona mbrojtëse rreth tij”, thuhet në reagim.

Sipas ministrisë, duhet bërë dallim ndërmjet statusit të mbrojtjes dhe Planit të Konservimit. Statusi përcakton regjimin që duhet respektuar për ruajtjen e vlerave të një aseti të trashëgimisë kulturore, ndërsa Plani i Konservimit përcakton mënyrën e trajtimit, ruajtjes dhe konservimit të tyre.

“Kjo nënkupton se Plani i Konservimit është instrumenti përmes të cilit përcaktohen masat dhe mënyra e trajtimit dhe konservimit të një aseti që tashmë gëzon statusin e mbrojtjes”, ka deklaruar ministria.

Në reagim përmendet edhe Rregullorja (MKRS) Nr. 05/2024 për përcaktimin e kushteve, kritereve dhe procedurave për hartimin e planeve të konservimit të integruar të trashëgimisë kulturore.

Ministria ka theksuar se Qendra Historike e Prishtinës bën pjesë në kategorinë e trashëgimisë kulturore arkitekturale, në nënkategorinë “fushë e konservimit arkitektural”.

Po ashtu, institucionet qendrore të trashëgimisë kulturore kanë rikujtuar se institucionet publike kanë detyrim ligjor për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

“Qendra Historike e Prishtinës është aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore dhe, si e tillë, çdo ndërhyrje në të duhet të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi, rregullat e mbrojtjes dhe procedurat përkatëse”, thuhet në reagim.

Ministria ka vlerësuar se harta dhe përcaktimi i perimetrit të Qendrës Historike të Prishtinës janë pjesë e regjimit të mbrojtjes dhe duhet të respektohen.

“Ndërhyrjet brenda këtij regjimi nuk mund të trajtohen si çështje e zhvillimit të zakonshëm urban, pa u respektuar procedurat ligjore dhe pa marrë paraprakisht lejet dhe pëlqimet përkatëse, aty ku ato kërkohen”, ka theksuar ministria.

Sipas saj, ndërhyrjet pa lejet e nevojshme, pa projekt të miratuar dhe në kundërshtim me regjimin e mbrojtjes kërkojnë trajtim institucional dhe zbatim të ligjit.

“Fakti që ndërhyrje të tilla po përsëriten nuk e zbeh detyrimin për t’i parandaluar dhe trajtuar ato në përputhje me kompetencat ligjore”, thuhet në reagim.

Ministria ka bërë të ditur gjithashtu se në hartimin e Planit të Konservimit të Qendrës Historike të Prishtinës kanë qenë të përfshirë edhe përfaqësues të Komunës së Prishtinës.

Në fund, ministria ka bërë thirrje që diskutimi për këtë çështje të zhvillohet mbi bazën e dokumenteve zyrtare dhe fakteve të verifikueshme.

“Mbrojtja e trashëgimisë kulturore është përgjegjësi e përbashkët institucionale”, ka përfunduar ministria. /Telegrafi/