Please enter at least 3 characters.

Milani bën lëvizjen e madhe, ish-trajneri i Unitedit shumë afër të marrë drejtimin e skuadrës

Ish-trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Milanit.

41-vjeçari, i cili ka qenë pa angazhim që nga shkarkimi i tij nga United më 5 janar, ka zhvilluar bisedime me klubin e Serie A në Portugali javën e kaluar.

Interesimi për Amorim është pjesë e një procesi të thellë ristrukturimi te Milani, pas shkarkimit të Massimiliano Allegrit dhe stafit ekzekutiv, pas dështimit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.

Fillimisht, Milani kishte synuar të emëronte ish-trajnerin e Bournemouth, Andoni Iraola, por Liverpool surprizoi duke shkarkuar Arne Slot dhe duke e emëruar atë si zëvendësues të trajnerit bask.

Sipas The Athletic, klubi ka kontaktuar gjithashtu trajnerin e kombëtares amerikane Mauricio Pochettino, ndërsa në listë kanë qenë edhe Oliver Glasner, Matthias Jaissle dhe Sebastian Hoeness.

Po ashtu, Ralf Rangnick është intervistuar për rolin e drejtorit të futbollit, një pozitë që do të qëndronte mbi trajnerin e ardhshëm.

Milani përfundoi në vendin e pestë në Serie A, duke mbetur për të dytin sezon radhazi jashtë Ligës së Kampionëve, çka çoi në shkarkimin e Allegrit pas vetëm një viti në detyrë. Edhe drejtuesit sportivë Igli Tare, Giorgio Furlani dhe Geoffrey Moncada u larguan nga klubi.

Amorim ishte emëruar trajner i Manchester United në nëntor 2024, duke nënshkruar kontratë trevjeçare në Old Trafford për të zëvendësuar Erik ten Hag.

United kishte paguar rreth 11 milionë euro për ta sjellë Amorimin, i cili ishte ndër trajnerët më të vlerësuar në Evropë pas dy titujve me Sporting Lisbonën në Portugali./Telegrafi/