Memorandum mirëkuptimi mes AKK-së dhe Avokatit të Popullit
Kjo marrëveshje, e cila është firmosur nga drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit Hasan Preteni, si dhe nga ushtruesi i detyrës së Avokatit të Popullit Hilmi Jashari – sipas një komunikate të AKK-së, do të kontribuojë në sigurimin e një bashkëpunimi efektiv në mes të këtyre dy institucioneve në shkëmbimin e informative lidhur me çështjet që bien në mandatin e të dy këtyre mekanizmave.
Duke u bazuar në këtë marrëveshje bashkëpunimi, Avokati i Popullit zotohet t’i dërgojë AKK-së ankesat e pranuara nga qytetarët në lidhje me dyshimet për veprime korruptive, ndërkaq AKK konform mandatit që ka, do të ndërmarrë veprime hetimore për hetimin e rasteve të raportuara nga qytetarët tek Avokati i Popullit të cilat ky i fundit ia dërgon AKK-së.
AKK dhe Avokati i popullit detyrohen të ruajnë informacionin dhe ta trajtojnë atë si informacion konfidencial konform ligjit deri në përfundimin e hetimeve.
Palët do të ekzekutojnë këtë marrëveshje në mirëbesim dhe të gjithë ata do të pajtohen në faktin se dispozitat e kësaj marrëveshje do të interpretohen në një mënyrë që favorizon përmbushjen e plotë të mandatit të të dy institucioneve dhe të mos ndikojë negativisht në punën e tyre, përfundon komunikata. /Telegrafi/


