Mbi 80 milionë euro, Hansi Flick po ëndërron një transferim të çmendur nga gjiganti anglez
Barcelona vazhdon ta ketë si objektiv transferimin e Pedro Porros për të forcuar krahun e djathtë të mbrojtjes, por klubi katalunas e konsideron të pamundur realizimin e kësaj marrëveshjeje gjatë afatit kalimtar të verës 2026.
Trajneri Hansi Flick e sheh mbrojtësin spanjoll si profilin ideal për skemën e tij taktike, sidomos pas paraqitjeve mbresëlënëse që Porro ka zhvilluar përkrah Lamine Yamal me Kombëtaren e Spanjës në Kupën e Botës 2026. Bashkëpunimi mes tyre ka bindur edhe drejtuesit sportivë të Barcelonës se lojtari i Tottenhamit do të ishte një përforcim i rëndësishëm.
Megjithatë, pengesa kryesore mbetet aspekti financiar. Pedro Porro ka rinovuar së fundmi kontratën me Tottenhamin deri në qershor të vitit 2031, ndërsa klubi londinez kërkon rreth 80 milionë euro për kartonin e tij, një shumë që Barcelona nuk është në gjendje ta paguajë për shkak të kufizimeve financiare dhe rregullave të La Ligës.
Flick e vlerëson 26-vjeçarin për aftësinë që ka të ndihmojë në fazën sulmuese, por edhe për disiplinën taktike gjatë rikthimit në mbrojtje. Karakteristikat e tij përshtaten me stilin e trajnerit gjerman, i cili kërkon presion të lartë dhe rikuperim të shpejtë të pozicioneve.
Megjithatë, dëshira e trajnerit nuk përputhet me realitetin ekonomik të klubit. Drejtori sportiv Deco dhe komisioni sportiv janë të detyruar të kërkojnë alternativa më të lira, pasi prioritet mbetet përforcimi i disa reparteve të skuadrës me buxhet të kufizuar.
Edhe nga ana e Tottenhamit nuk ka sinjale për negociata. Trajneri Roberto De Zerbi e konsideron Porron një nga shtyllat e projektit të tij dhe nuk dëshiron ta humbasë mbrojtësin. Presidenti Daniel Levy nuk ka presion për ta shitur lojtarin dhe do të pranonte largimin e tij vetëm nëse paguhet shuma e kërkuar prej rreth 80 milionë eurosh.
Porro konsiderohet një nga mbrojtësit e djathtë më të kompletuar në futbollin evropian falë forcës në duelet një kundër një, inteligjencës taktike dhe kontributit në fazën ofensive.
Për momentin, Barcelona pritet ta shtyjë interesimin për reprezentuesin spanjoll dhe të fokusohet te huazimet ose transferimet me kosto më të ulët, me shpresën se situata financiare e klubit do të përmirësohet në afatet e ardhshme kalimtare./Telegrafi/


