Please enter at least 3 characters.

“Mbi 300 mijë qytetarë janë penalizuar”, Rama me akuza të forta ndaj Qeverisë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë se ka bllokuar projektet zhvillimore të kryeqytetit dhe se sipas tij mbi 300 mijë qytetarë janë penalizuar qëllimisht dhe jashtëligjshëm.

Përmes një reagimi, Rama ka thënë se projektet transformuese të Prishtinës janë bllokuar duke u thirrur në një dokument që, sipas tij, në atë kohë ishte vetëm draft dhe nuk përbënte bazë ligjore për ndalimin e punëve.

“Vazhdimisht kam thënë se projektet transformuese të Kryeqytetit po bllokohen jashtëligjshëm, duke u thirrur në një dokument që ishte vetëm DRAFT, jo ligj, jo akt i miratuar dhe jo bazë ligjore për të ndalur punët në Prishtinë”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka konfirmuar këtë përmes miratimit të dokumentit si akt ligjor më 5 qershor 2026.

Rama pretendon se dokumenti ishte përdorur paraprakisht përtë ndërhyrë në projektet e kryeqytetit.

“Fillimisht e përdorën si të ishte ligj. Bllokuan projekte.Penguan investime. Humbën kohën e Kryeqytetit dhe të qytetarëve. Dhe vetëm më pas e miratuan!”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Prishtinës e ka cilësuar këtë si “marrëzi institucionale” dhe “marrëzi njerëzore”, duke akuzuar institucionet qendrore se përmes përplasjeve politike po dëmtojnë qytetarët.

“Kur lufta politike shkon deri aty sa të bllokosh zhvillimine qytetit dhe projektet që u shërbejnë qindra mijëra qytetarëve, nuk po e ndëshkon një kryetar komune. Po e ndëshkon Prishtinën. Po i ndëshkon qytetarët e saj”, ka shkruar Rama.

Ai ka përfunduar me një paralajmërim politik, duke thënë se qytetarët do ta mbajnë mend se kush i ka bllokuar projektet e kryeqytetit. /Telegrafi/