Please enter at least 3 characters.

Maxhuni do ta incizojë albumin e tretë me muzikantë të New Yorkut

2016/01/maxhun.jpg

Një projekt me personazhe të top skenës muzikore në New York, e përshkruan bateristi Nesim Maxhuni albumin e tij të tretë, për të cilin veçse e ka formuar ekipin.

Do të incizohet në një studio në Shtete të Bashkuara të Amerikës, dhe për realizimin e tij Maxhuni do të bashkëpunojë me muzikantë njujorkezë, shkruan “Koha Ditore”. Ai tashmë ka krijuar formacionin me të cilin do të bashkëpunojë për projektin e radhës, që parashihet të finalizohet në vitin e ardhshëm. Saksofonisti e kompozitor me prejardhje sllovene Jure Pukl – në biografinë zyrtare të të cilit shkruhet se krijon “një lloj unik të xhazit modern, avagard, ‘free jazz’ dhe muzikë bashkëkohore- është njëri prej bashkëpunëtorëve të Maxhunit në albumin e tij të tretë. Pukl ka publikuar 7 CD.

Dy të fundit i ka incizuar në New York me disa nga muzikantët që kanë marrë kritikat më të mira në gjithë globin. Kitaristi Freddie Bryant – që sipas të dhënave në ueb faqen e tij është ndër muzikantët më të kërkuar në New York dhe që bashkëpunon me studion e Ben Riley, “Monk Legacy Sepet”- po ashtu është pjesë e formacionit që Maxhuni e ka aranzhuar gjatë qëndrimit të tij dyjavor në New York.

Në projektin e ri muzikor, atij do t’i bashkohet edhe basisti Joe Sanders. Ky i fundit cilësohet si një prej basistëve më të kërkuar të gjeneratës së tij. Ai ka interpretuar, incizuar e realizuar turne me muzikantë të mëdhenj, përfshirë Ravi Coltrane, Herbie Hancock, Jimmy Heath, Roy Hargrove, Gerald Clayton (albumi “Two-Shade” i të cilit ishte nominuar për “Grammy” më 2010), sikurse edhe me Aaron Parks, Geoffery Kezzer etj.

Maxhuni ka thënë se albumi i tij i tretë – që vjen pas “Treni” të realizuar më 2010 dhe “Syndrome” më 2013- do të incizohet në një prej studiove më me nam në New York.

“Aktualisht s’mund ta publikoj emrin, por mund të them se albumi i tretë do të incizohet në New York, me disa prej top muzikantëve të skenës së atjeshme”, ka thënë Maxhuni.

Maxhuni ka shtuar se në projektin e ri muzikor do të ketë kryesisht kompozime të reja të realizuara prej tij.

“Por do të ketë edhe pjesë nga dy albumet e para të miat, sikurse edhe pjesë të saksofonistit Jure Pukl”, ka thënë ai. “Treni” përmban tetë melodi pa vokal, shumica prej të cilave janë shkruar nga kitaristi Armend Xhaferi. Albumi i dytë i Maxhunit përmban 5 këngë, dhe vetë bateristi kishte thënë se i dedikohet “asaj jetës artistike më avangarde”.

Realizimi i një albumi me muzikantë njujorkezë, sipas Maxhunit, nuk do të jetë sfidë e lehtë.

“Projekti ka kosto të lartë, prandaj kohë pak kohe më e gjatë për ta realizuar. Besoj se albumi do të publikohet vitin që vjen”, ka thënë ai.

Maxhuni, i cili gjatë qëndrimit në New York ka interpretuar në disa prej xhaz klubeve më të njohura, si “Smalls Jazz Club” dhe “Village Underground”, beson që puna në këtë projekt do të finalizohet me sukses.

“Nuk është projekt ambicioz, por shumë serioz, i cili me punë realizohet. Dhe tash që isha në New York kam interpretuar në xhaz klubet më me renome atje dhe kam parë nga afër punën që bëjnë muzikantët me të cilët do të bashkëpunoj”, ka thënë ai.

Maxhuni ka fiks 20 vjet që luan në bateri. Më 2006 me Valton Beqirin do të bëhej i pari student në Degën e Perkusioneve në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Pas përfundimit të studimeve për perkusione, kishte shkuar në Holandë, ku kishte kaluar katër vjet në një prej rok shkollave të qytetit të Tilburgut, duke mbajtur punëtori me muzikantë të njohur nëpër botë. Për pesë vjet kishte ligjëruar për perkusione dhe ka mbajtur ushtrime për bende në “Mitrovica Rock School”. /koha.net/