Please enter at least 3 characters.

Maturantët sot - sfidat psikologjike dhe fuqia e tyre e brendshme

Maturantët përballen sot me një nga momentet më të rëndësishme dhe sfidues në jetën e tyre: kalimi nga arsimi i mesëm në atë të lartë, me pritshmëri të mëdha, presion të jashtëzakonshëm dhe një pafundësi zgjedhjesh që shpesh duken të panjohura dhe frikësuese

Mr.sci Miradije StatovciPsikologe KlinikePoliklinika “Galaxy”

Të përfundosh shkollën e mesme është një arritje. Por menjëherë pas saj, fillon një nga periudhat më të pasigurta që mund të përjetojë një i ri: vendimi për të ardhmen. Universiteti. Drejtimi. Vendndodhja. Jeta jashtë shtëpisë. Ndryshimi.

Në këtë periudhë, shoh një tendencë të fortë mes tyre: dëshirën për të qenë të suksesshëm, dëshirën për t’u dalluar, por edhe pasigurinë që sjell presioni i madh social dhe familjar. Kjo sfidë jo vetëm akademike, por edhe emocionale, ndikon në mirëqenien psikologjike të tyre dhe kërkon mbështetje dhe mirëkuptim të vazhdueshëm.

Si psikologe, shoh çdo ditë maturantë të lodhur nga presioni:

Presioni për të zgjedhur “të duhurën”, sikur një zgjedhje do të përcaktojë gjithë jetën.
Presioni i krahasimit me të tjerët: kush u pranua ku, kush e ka më të lehtë, kush ka mbështetje më të madhe.
Presioni nga familja, që shpesh vjen me dashuri, por jo gjithmonë me mirëkuptim.

Në këtë periudhë, mendja juaj është një fushë emocionesh të përziera – entuziazëm, frikë, kuriozitet, pasiguri. Dhe dua t’ju them me gjithë zemër:

Nga eksperienca ime si psikologe, dua t’i përkujtoj maturantëve dhe të gjithë aktorëve edukativë se:

• Zgjedhja e drejtimit nuk përcakton fatin përjetë. Është një hap i rëndësishëm, por rruga e jetës është plot kthesa dhe mundësi për rritje dhe ndryshim.
• Presioni për të qenë perfekt është armiku më i madh. Duhet të mësojmë t’i japim vetes hapësirë për të gabuar dhe për të mësuar.
• Mbështetja emocionale nga familja dhe shoqëria është thelbësore. Maturantët kanë nevojë të ndihen të dëgjuar, të kuptuar dhe jo të gjykuar.
• Vetëdija dhe njohja e vetes janë çelësi. Sa më shumë të njohin vetveten, aq më të qarta do t’i kenë zgjedhjet e tyre.

Në këtë rrugëtim, unë i inkurajoj të rinjtë të besojnë në vetvete, të jenë të guximshëm dhe të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre. Shpesh, sfidat janë mundësitë më të mëdha për rritje personale dhe forcim emocional.

Kjo është krejtësisht normale. Nuk keni pse të ndiheni të gabuar.

Universiteti nuk është një garë. Është një udhëtim.
Drejtimi nuk është një dënim i përjetshëm. Është një zgjedhje që mund të evoluojë.
E ardhmja nuk është një vijë e drejtë. Është një rrugë me kthesa, gabime, kthime prapa dhe rritje.

Po si ta përballosh këtë periudhë?

• Mos kërko përgjigje të përkryera. Kërko të njohësh më mirë veten.
• Mos e shih veten përmes zgjedhjes që bën, por përmes përkushtimit që do t’i japësh asaj që zgjedh.
• Mos i merr zërat e tjerë më shumë seriozisht sesa zërin tënd të brendshëm. Ai zë e di se çfarë të tërheq, edhe kur frika e mbulon.

Disa do e gjejnë veten menjëherë. Disa do gabojnë rrugë. Disa do e ndërrojnë drejtimin pas një viti. Dhe të gjitha këto janë histori normale. Nuk ka një rrugë të vetme drejt suksesit. Ka shumë rrugë që të shpien drejt vetërealizimit.

Ndaj, maturantë, mos kini frikë nga vendimi - kini kurajën ta merrni atë me vetëdije, me dëshirë dhe me respekt për veten. Sepse më e rëndësishme se çfarë studion është kush je TI në atë rrugëtim.

Nëse ndiheni të pasigurt, të ngarkuar, të mbingarkuar - flisni me dikë. Me një prind. Me një psikolog. Me një mik të sinqertë. Sepse nuk jeni vetëm në këtë udhëkryq. /Telegrafi/