Please enter at least 3 characters.

Margaret Qualley rrëfen vetminë para dashurisë me Jack Antonoff: Ai është njeriu që kam ëndërruar gjithë jetën

Aktorja amerikane, Margaret Qualley, ka rrëfyer me ndjeshmëri dhe sinqeritet për marrëdhënien e saj me bashkëshortin Jack Antonoff, gjatë një interviste për revistën Cosmopolitan.

Gjatë sesionit fotografik të realizuar për kopertinën, 30-vjeçarja ka folur për jetën personale, sfidat, dashurinë dhe karrierën e saj.

Ajo zbuloi se para se të takonte Jack-un, ishte e vetmuar dhe shpesh ndihej e humbur në përpjekjen për të qenë “vajza perfekte e dikujt tjetër”, shkruan DailyMail.

“Xheku më bën të ndihem e sigurt dhe e qetë. Nuk mund ta gënjej – ai më kupton menjëherë. Ai është njeriu që kam imagjinuar gjithë jetën time”, u shpreh ajo.

Çifti u martua në gusht 2023 në një ceremoni luksoze në New Jersey, ku morën pjesë yje të mëdhenj si Taylor Swift, Lana Del Rey, Zoe Kravitz dhe nëna e nuses, Andie MacDowell.

Edhe pse është vajza e një figure të njohur në Hollywood, Margaret e hodhi poshtë idenë se karriera e saj është rezultat i nepotizmit. Ajo rrëfeu se që në moshën 16-vjeçare jetonte e vetme në New York, pa mobilje e pa njohje, dhe arriti pavarësinë financiare në moshën 18-vjeçare.

Pasionin për artin dhe komedinë e ka pasur që në fëmijëri – dhe idhulli i saj i parë ka qenë Adam Sandler në filmin Happy Gilmore. Ndaj, aktorja e përjetoi si ëndërr realizimin e rolit në vazhdimin e filmit të famshëm, përkrah vetë Sandler.

Ajo zbuloi se bashkëshorti i saj, Jack, madje “gënjeu” për të ndihmuar që ajo të sigurojë rolin, duke e bindur Adam-in se Margaret dinte të luante golf – gjë që nuk është aspak e vërtetë.

E sinqertë, me humor dhe me një sens të thellë vetëdijeje për rrugëtimin e saj, Margaret Qualley shfaqet si një figurë e ndjeshme dhe e fortë, e cila ka ndërtuar jetën dhe karrierën në mënyrën e saj, përtej emrit të madh që trashëgoi. /Telegrafi/