Please enter at least 3 characters.

Maqedonia në “play off” pritet të ketë trajner të ri

Milevski
2024/05/Milevski.jpg
2024/05/Milevski.jpg

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut pritet të hyjë në fazën e “play off”-it të Botërorit 2026 me ndryshime të rëndësishme në bankinë. Sipas asaj që raportojnë mediat sportive, drejtuesit e FFM-së kanë vendosur të mos rinovojnë kontratën me trajnerin Bllagoja Milevski, i cili pritet të largohet pas pakënaqësive që erdhën si rezultat i formës së dobët në ndeshjet e fundit, njofton Telegrafi.

Forma e skuadrës së parë është shoqëruar me kritika të shumta nga tifozët dhe opinioni sportiv, ndërsa disfata e thellë 7-1 kundër Uellsit thuhet se ka qenë ndeshja që i shtyu drejtuesit të ndërmerrnin vendimin final. Për ta, qasja dhe paraqitja në atë takim nuk ishin në nivelin e një ekipi kombëtar dhe hapën diskutime serioze për të ardhmen e stolit.

Rënia në lojë ka qenë e dukshme në disa sfida radhazi, me paralajmërime të qarta që u panë edhe në duelet ndaj Letonisë dhe Kazakistanit në Shkup. Me përfundimin e ciklit kualifikues, kontrata e Milevskit me FFM-në ka skaduar dhe tashmë gjithçka duket drejt mbylljes.

Edhe pse trajneri do të jetë i pranishëm në shortin e “play off”-it në Cyrih, kjo nuk konsiderohet shenjë e vazhdimit të bashkëpunimit. Fillimisht kishte indikacione për kontratë të re, por rezultatet e fundit duket se vulosën ndarjen me trajnerin që mori drejtimin e ekipit në vitin 2021, duke pasuar Igor Angellovskin. Se kush do të merr timonin e ri, duhet pritur shortin dhe më pas krerët e federatës do të dalin me njoftim zyrtar. /Telegrafi/