Please enter at least 3 characters.

Maqedonci: Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes forcon partneritetin Kosovë-Turqi

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar takim me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar Güler, si dhe me pesë oficerë nga Kosova që kanë përfunduar shkollimin ushtarak në Turqi.

Maqedonci ka vlerësuar se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe edukimit ushtarak po kontribuon në forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, si dhe në zhvillimin profesional të kuadrove të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ai ka uruar nëntogerët Ramadan Rexha, Gjergj Dreni, Altin Salihaj, Elmë Ramadani dhe Admirim Ismajli për përfundimin me sukses të pesë viteve të shkollimit.

Sipas Maqedoncit, programi i tyre ka përfshirë një vit të kursit përgatitor të gjuhës turke dhe katër vite studime ushtarake.

“Pata kënaqësinë të takoj kadetët nga Kosova që përfunduan me sukses shkollimin e tyre në këtë akademi prestigjioze”, ka shkruar Maqedonci.

Ministri ka theksuar se, krahas zhvillimit të kapaciteteve dhe modernizimit të FSK-së, Ministria e Mbrojtjes i kushton rëndësi të veçantë arsimimit, edukimit dhe zhvillimit profesional të personelit.

“Investimi në kuadro të mirëfillta ushtarake është investim në të ardhmen e FSK-së dhe në ndërtimin e një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve partnere”, ka deklaruar ai.

Maqedonci ka vlerësuar gjithashtu se shkollimi i oficerëve kosovarë në akademitë e vendeve partnere ndihmon në forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit ndërmjet forcave të armatosura.

Ai ka shprehur mirënjohje ndaj Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme në arsimimin dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të FSK-së.

Në fund, Maqedonci u ka uruar oficerëve të sapodiplomuar sukses në detyrat dhe përgjegjësitë e tyre të ardhshme në shërbim të FSK-së dhe Republikës së Kosovës./Telegrafi/