Please enter at least 3 characters.

Maldini dhe Leonardo do të japin dorëheqjen nga rolet e tyre në kombëtaren e Italisë pas vetëm 16 ditësh

Vetëm pak javë pasi morën detyrën në Federatën Italiane të Futbollit (FIGC), Paolo Maldini dhe Leonardo kanë vendosur të japin dorëheqje, pas mosmarrëveshjeve të thella rreth zgjedhjes së trajnerit të ri të Kombëtares së Italisë. Lajmi është bërë i ditur nga Sky Sport Italia.

Pozita e drejtorit teknik të projektit Club Italia ishte krijuar nga presidenti i ri i FIGC-së, Giovanni Malagò, me synimin për t’i dhënë më shumë autonomi dhe një strukturë të re ekipit kombëtar.

Maldini dhe Leonardo kishin për detyrë të krijonin një identitet të ri për futbollin italian, duke koordinuar punën mes kombëtareve të grupmoshave dhe akademive të të rinjve.

Dështuan objektivat kryesorë

Megjithatë, projekti hasi shpejt në vështirësi. Objektivat e parë për stolin e Italisë, Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola, refuzuan ofertat për të marrë drejtimin e kombëtares.

Pas tyre, zgjedhja ra mbi Andrea Pirlon, por kandidatura e tij u rrëzua pasi u zbulua se ai është ambasador global i kompanisë ruse të basteve Fonbet.

Kjo krijoi jo vetëm dilema etike dhe morale, por edhe probleme ligjore, pasi reklamimi i kompanive të basteve të këtij lloji është i ndaluar në Itali.

Mosmarrëveshje me Malagòn

Sipas raportimeve, presidenti i FIGC-së, Giovanni Malagò, bllokoi emërimin e Pirlos, pavarësisht mbështetjes që ai gëzonte nga Maldini dhe Leonardo.

Mospajtimet mbi kandidatin e ardhshëm për stolin e Italisë u thelluan, duke çuar në një prishje të marrëdhënieve mes palëve.

Si rezultat, Sky Sport Italia raporton se Maldini dhe Leonardo kanë vendosur të largohen nga postet e tyre, ndërsa njoftimi zyrtar pritet të publikohet gjatë mbrëmjes.

Maldini dhe Leonardo ishin emëruar në këto role më 11 korrik, pas javësh negociatash me drejtuesit e federatës për projektin e reformimit të futbollit italian.

Presidenti i FIGC-së, Giovanni Malago

Megjithatë, mosmarrëveshjet për zgjedhjen e trajnerit të ri të kombëtares kanë bërë që aventura e tyre në FIGC të përfundojë shumë më shpejt sesa ishte parashikuar. /Telegrafi/