Madonna pranon se dikur ishte xheloze për Kylie Minogue: Besoja se ish-bashkëshorti im kishte simpati për të
Madonna ka bërë një rrëfim të sinqertë, duke zbuluar se dikur ishte xheloze për Kylie Minogue, pasi besonte se ish-bashkëshorti i saj, Guy Ritchie, kishte simpati për këngëtaren australiane.
Ikona e muzikës, 67 vjeçe, foli për këtë gjatë një interviste në emisionin “The Graham Norton Show”, ku ishte e ftuar për të promovuar albumin e saj të ri, “Confessions II”, që publikohet më 3 korrik.
Gjatë bisedës, Madonna kujtoi një moment nga MTV Europe Music Awards 2000, kur u shfaq e veshur me një bluzë të personalizuar me emrin e Kylie Minogue të zbukuruar me gurë, shkruan DailyMail.
Ajo tregoi se në atë periudhë ishte e apasionuar pas stilit “western” dhe po mendonte për këngëtaret ndaj të cilave ndiente një lloj zilie.
“Isha në fazën time ‘western’, duke zbukuruar gjithçka me gurë dhe po mendoja për këngëtaret për të cilat isha paksa xheloze.
Kështu, natyrshëm mendova për Kylie-n dhe bëra një bluzë me emrin e saj”, u shpreh Madonna.
Kylie Minogue, e cila ishte gjithashtu e pranishme në intervistë, kujtoi se nuk kishte marrë asnjë paralajmërim për gjestin e Madonnës. Ajo tha se mbeti pa fjalë kur e pa në skenë me bluzën që mbante emrin e saj.
Më pas, Madonna pranoi se arsyeja e xhelozisë ishte bindja e saj se Guy Ritchie kishte një simpati për Kylie-n.
Megjithatë, dy këngëtaret sot gëzojnë një marrëdhënie miqësore dhe e kujtuan këtë histori me humor. /Telegrafi/


