“Lojtari më i mirë në botë dhe në histori", Alvarez me deklaratë të madhe për Messin
Sulmuesi i Argjentinës, Julian Alvarez, nuk i ka kursyer fjalët e mëdha për bashkëlojtarin e tij, Lionel Messi, pas paraqitjes mbresëlënëse që ky i fundit zhvilloi në Kupën e Botës 2026.
Argjentina siguroi kualifikimin në çerekfinale të turneut pasi mposhti Egjiptin me rezultat 3-2 në ndeshjen e fazës së 1/16-ës.
Edhe një herë, Messi ishte vendimtar për kampionët në fuqi të botës, duke realizuar një gol dhe duke dhuruar një asistim që rezultuan kyçe për suksesin e skuadrës së tij.
Pas përfundimit të takimit, Alvarez u shpreh se është gjithnjë e më e vështirë të gjenden fjalët e duhura për të përshkruar ndikimin që Messi vazhdon të ketë në fushë, pavarësisht moshës së tij.
"Të them të drejtën, nuk kanë mbetur shumë fjalë për ta përshkruar Leon. Ai po zhvillon një Kupë Bote të jashtëzakonshme. Ne përpiqemi ta ndihmojmë, ta mbështesim dhe të jemi gjithmonë pranë tij".
Sulmuesi i Argjentinës shtoi se e gjithë skuadra ndihet me fat që ka në dispozicion një futbollist si Messi, jo vetëm për atë që bën në fushën e lojës, por edhe për mënyrën se si udhëheq grupin.
"I jemi mirënjohës për gjithçka që bën për ne dhe për mënyrën se si sillet me të gjithë. Ai është një legjendë, lojtari më i mirë në botë dhe më i miri në histori", deklaroi Alvarez.
Messi vazhdon të jetë figura kryesore e Argjentinës edhe në këtë edicion të Kupës së Botës, duke dëshmuar edhe një herë se mbetet vendimtar në momentet më të rëndësishme.
Me paraqitje të tilla, 39-vjeçari po udhëheq kombëtaren drejt objektivit për të mbrojtur titullin e kampionit të botës, ndërsa vlerësimet nga bashkëlojtarët dhe opinioni sportiv vazhdojnë të shtohen pas çdo ndeshjeje. /Telegrafi/


