Llamkosi e fiton derbin dhe e rikthen kreun
Llamkos Kosova e ka fituar derbin e xhiros së nëntë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, duke e rikthyer lidershipin.
Skuadra vushtrriase e mposhti Hysin me plot meritë, 2-1, në një ndeshje mjaft interesante. Alban Dragusha e ka kaluar ekipin bardh e kaltër në epërsi në minutën e nëntë, pasi e mori një top të mirë nga lojtari më i mirë i ndeshjes, Liridon Ahmeti.
Në vazhdim, vendësit e kishin një mundësi të mirë me Labinot Osmanin, e në anën tjetër ekipi llapjan e barazoi rezultatin në minutën e 31-të me anë të Fiton Hajdarit, që shënoi një gol të bukur.
Pas 10 minutash (41’), ekipi i Ismet Munishit kaloi sërish në epërsi falë golit që e shënoi Semir Zeneli me kokë.
Në pjesën e dytë, vushtrriasit e lëshuan një rast të artë për ta ngritur avantazhin, kur zëvendësuesi Besart Veseli e humbi penalltinë në minutën e 81-të. Pas kësaj fitoreje, Llamkosi kalon në pozitën e parë, me 18 pikë, një më shumë se Hysi.
Besa – Ferronikeli 1:0
Besa e ka mposhtur Ferronikelin, në një ndeshje monotone të zhvilluar sot. Goli i Mensur Durakut, i shënuar në minutën e 14-të ishte vendimtar në fitoren e ekipit pejan, i cili në pjesën e dytë pati edhe raste të tjera, por nuk i shfrytëzoi.
Pas kësaj fitoreje, ekipi bardh e kuq u ngrit në pjesën e epërme të tabelës, kurse gjelbër e zinjtë vazhdojnë krizën e thellë.
Trepça – Drita 1:0
Trepça e ka fituar me mjaft vështirësi ndeshjen me Dritën, në ndeshjen e zhvilluar sot në Mitrovicë. Skuadra mitrovicase i është gëzuar trepikëshit falë golit të shënuar nga zëvendësuesi Agron Shabani në minutën e 90-të të takimit.
Gjilanasit kanë krijuar disa raste të mira, sidomos atë me Daut Maxhunin, por nuk ia dolën të shënonin. Pas kësaj fitoreje, ekipi ‘Xehetar’ sadopak i iku fundit të tabelës. /Express/Telegrafi/


