Liverpooli po bëhet si Real Madridi – Carragher i dërgon mesazh të fortë Arne Slotit
Për shkak të natyrës së paprecedentë të shpenzimeve të Liverpoolit këtë verë, përshkrimi i punës së trajnerit të “The Reds” Arne Slot ka ndryshuar, kështu së paku thotë legjenda e klubit Jamie Carragher.
Duke folur përpara ndeshjes ndaj Manchester United, ish-mbrojtësi i Liverpoolit theksoi se Arne Slot duhet të sillet si një trajner i Real Madridit, të paktën për disa muaj.
“Klubi ka sjellë shumë lojtarë dhe kjo i ka shkaktuar disa probleme trajnerit”.
“Kur shpenzon kaq shumë për lojtarë, duhet të gjesh mënyrën për t’i bërë ata të funksionojnë bashkë. Ideja që Florian Wirtz të mos luajë shumicën e ndeshjeve për Liverpool është e pakuptimtë. Duhet të gjesh mënyrën për ta bërë atë pjesë të ekipit”.
Carragher e krahasoi situatën me mënyrën si vepron Real Madridi.
“Merkatoja e Liverpoolit këtë verë ishte si ajo e Real Madridit – jo tipike për Liverpoolin. Kur unë luaja, apo edhe gjatë kohës së Jurgen Kloppit, Liverpool nuk shkonte të blinte lojtarët më të mirë në treg me shifra marramendëse. Por këtë verë, ata e bënë”.
“Alexander Isak ishte ndoshta sulmuesi më i mirë në dispozicion në treg, dhe Florian Wirtz lojtari më i mirë për rolin e numrit 10. Liverpool pagoi shumë për ta. Kështu vepron Real Madridi çdo verë – dhe trajnerët si Vicente del Bosque apo Carlo Ancelotti thjesht duhet të gjejnë mënyrën për t’i përshtatur të gjithë. Këtë duhet të bëjë tani edhe Arne Slot”.
“Ka qenë një verë ‘alla Real Madrid’ për Liverpoolin, në aspektin e shpenzimeve. Për këtë arsye, ndoshta ata kanë nevojë që trajneri i tyre të sillet si një trajner i Real Madridit – të mos mendojë aq shumë për sistemin e tij, por për mënyrën si t’i bëjë këta lojtarë të funksionojnë së bashku dhe të japin më të mirën”.
Ndërkohë, përballja mes Liverpoolit e Man Unitedit do të nis me fillim nga ora 17:30./Telegrafi/


