Lazio në finale pas penalltive, përballë Interit në aktin e fundit
Lazio është kualifikuar në finalen e Kupës së Italisë pas një dueli dramatik ndaj Atalantës, që u vendos vetëm pas vazhdimeve dhe serisë së penalltive.
Pas dy ndeshjeve gjysmëfinale, ku e para ishte mbyllur 2-2 dhe e dyta përfundoi 1-1 në kohën e rregullt, gjithçka shkoi në 120 minuta dhe më pas te penalltitë.
Në ndeshjen e kthimit, Lazio kaloi në epërsi në minutën e 84-t, kur Alessio Romagnoli realizoi pas një goditjeje nga këndi. Por Atalanta u përgjigj shpejt dhe barazoi në minutën e 86-t, me një goditje të bukur të Mario Pasalic, pas asistimit të Nikola Krstovic.
Në vazhdime, Atalanta dukej se e gjeti golin e përmbysjes: në minutën e 96-t, Giacomo Raspadori shënoi me kokë pas një topi të ardhur nga Zappacosta, por festa u ndërpre shpejt, pasi goli u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje në ndërtim të aksionit.
Pas 120 minutave pa gol tjetër, u kalua te penalltitë, ku protagonist absolut ishte portieri i Lazios, Edoardo Motta, i cili priti disa goditje vendimtare dhe i dha skuadrës së tij biletën për në finale.
Në serinë e penalltive u panë shumë gabime: për Atalantën dështuan Scamacca, Zappacosta, Pasalic dhe De Ketelaere, ndërsa te Lazio gabuan Nuno Tavares (iu prit) dhe Cataldi (shtyllë). Në fund, penalltitë e Gustav Isaksen dhe Kenneth Taylor rezultuan vendimtare, duke ia siguruar Lazios kualifikimin.
VINCIAMO NOI AI RIGORI ✅#AtalantaLazio#AvantiLaziopic.twitter.com/DZwWmmBDer
— S.S.Lazio (@OfficialSSLazio) April 22, 2026
Me këtë sukses, Lazio do të përballet me Interin në finalen e Kupës së Italisë, në një duel që pritet të jetë ndër më të mëdhenjtë e sezonit. /Telegrafi/


