Kush mban përgjegjësi për përmbajtjen me AI në media e çfarë thotë KPM?
Transparenca mbetet parimi kryesor në përdorimin e inteligjencës artificiale në media, ndërsa përgjegjësia për përmbajtjen mbetet editoriale.
Në “Përballje Podcast”, Niman Racaj, ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të Komisioni i Pavarur i Mediave, ka theksuar se përdorimi i inteligjencës artificiale nuk e përjashton përgjegjësinë ligjore, pavarësisht mënyrës se si krijohet përmbajtja.
“Transparenca është numër një nga pikëpamja e rregullatorit. Inteligjenca artificiale nuk e përjashton përgjegjësinë ligjore. Editori duhet të jetë përgjegjës dhe përgjegjësia bie mbi atë që e publikon përmbajtjen”, ka deklaruar Racaj.
Ai ka sqaruar se edhe në mungesë të një akti të veçantë ligjor për inteligjencën artificiale, aktet ekzistuese vazhdojnë të zbatohen në rast se një përmbajtje e prodhuar me AI është e dëmshme.
“Nëse përmbajtja është e dëmshme, ajo rregullohet dhe zbatohen aktet në fuqi, pavarësisht mënyrës se si është krijuar”, ka theksuar Racaj, duke shtuar se përgjegjësia mbetet te subjekti i licencuar dhe redaksia përkatëse. /Telegrafi/


