Kurti: Siç thotë populli, opozita as nuk po shtyhet dhe as nuk po ngrehen
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar sot partitë që deri tani ishin në opozitë për sabotim dhe bojkot të themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Në një deklarim gjatë një ngjarjeje të organizuar nga qendra e Vetëvendosjes në Prishtinë, ku u nominua Hajrulla Çeku si kandidat për kryetar të kryeqytetit, Kurti tha se “destruktiviteti opozitar” buron nga xhelozia dhe lakmia ndaj suksesit të Vetëvendosjes si dhe mospranimi i rezultatit zgjedhor.
“Kanë kaluar pothuajse gjashtë muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe ende nuk kemi institucione të reja. Kjo është pasojë e bllokadës dhe sabotimit të qëllimshëm nga ata që dikur ishin opozitë. As nuk po shtyhen, e as nuk po ngrihen”, u shpreh Kurti, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë disa kompromise për të mundësuar konstituimin e Kuvendit.
Përkundër përpjekjeve për bashkëpunim, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme për formimin e institucioneve.
Kurti tha se dy herë ka dërguar ftesë për bashkëqeverisje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), por kjo e fundit ka refuzuar.
Gjithashtu, negociatat me Nismën Socialdemokrate, që ka tre deputetë në Kuvend, nuk kanë rezultuar me marrëveshje, pasi sipas Kurtit, kërkesa e kësaj partie për ta marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit nuk është pranuar nga Vetëvendosje.
Që nga 27 korriku, Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme, duke ndaluar veprimet e mëtejshme institucionale për shkak të tejkalimit të afatit për konstituimin e legjislaturës së re deri më 26 korrik.
Masa mbetet në fuqi deri më 8 gusht, kur pritet një vendim i ri nga kjo gjykatë.


