Please enter at least 3 characters.

Kurti përkujton kontributin e figurave të shquara shqiptare në dijen dhe artin

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në ngjarjen solemne të organizuar në kuadër të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi se një nga mungesat më të mëdha historike të shoqërisë shqiptare ka qenë mospërfshirja në debatet themelore të modernitetit evropian, sidomos ato që shoqëruan revolucionin industrial dhe shkencor në shekullin XIX.

Ai rikujtoi figurat e para shqiptare që kontribuuan në botën e dijes, si Helena Peshkopia dhe Sami Frashëri, duke vlerësuar se tradita e prodhimit të dijes ka qenë prezente ndër shekuj.

Kurti foli edhe për marrëdhënien mes dijes dhe politikës, duke theksuar se Akademia mbetet hapësira më e lartë ku debati, mendimi kritik dhe hulumtimi shkencor mund të zhvillohen lirshëm. Ai u shpreh se ASHAK ka reflektuar historinë e mendimit, artit, rezistencës dhe aspiratave politike të shqiptarëve.

Kryeministri rikujtoi rëndësinë e shkencës dhe institucioneve akademike në kohë krizash, si pandemia Covid-19, duke theksuar se sot, në epokën e inteligjencës artificiale, luftërave hibride dhe tensioneve gjeopolitike, roli i akademive është më vital se kurrë.

Ai theksoi se mbështetja për shkencën dhe akademinë është përgjegjësi institucionale e shtetit dhe uroi që gjysmëshekulli i dytë i AShAK-ut të jetë i mbushur me më shumë dije, shkencë dhe filozofi. /Telegrafi/