Please enter at least 3 characters.

Kupa e Botës nis me alarm për skuadrën iraniane, gjendet një trup i pajetë pranë qendrës stërvitore

Një trup është gjetur në një qese të zezë përballë bazës stërvitore të Iranit për Kupën e Botës në Meksikë, ndërsa ka nisur një hetim urgjent policor.

Autoritetet konfirmuan se një kufomë u zbulua në një veturë të lënë në parkingun e një supermarketi, përballë objektit në Tijuana.

Vetura thuhet se ishte braktisur atje për disa ditë përpara se autoritetet të ndienin një erë të fortë që vinte nga brenda.

Sipas zyrës së prokurorit në Tijuana, oficerët gjetën një trup në bagazhin e një SUV-i gri Toyota, që besohet se ka qenë atje që nga e mërkura.

“Pas inspektimit të automjetit, ata gjetën një person të mbështjellë me një qese të zezë në bagazh, i cili tregonte shenja dhune”, thuhet në deklaratë.

Identiteti i viktimës nuk është bërë i ditur nga autoritetet.

Raportohet se një hetim është duke u zhvilluar tani për të përcaktuar rrethanat e sakta të vdekjes.

Ndryshe, javën e kaluar, skuadra iraniane e futbollit për meshkuj zbarkoi në Tijuana, ndërsa përgatitet për të nisur fushatën e tyre në Kupën e Botës 2026.

Fillimisht, ekipi kishte ndërmend të ngrinte kamp në Arizona, por kufizimet e udhëtimit nënkuptonin se ata duhej të zhvendoseshin në Meksikë.

Irani do të luajë kundër Zelandës së Re në Los Angeles në ndeshjen e tyre të parë më 16 qershor. /Telegrafi/