Kryetarët e komunave që fituan me përqindjen më të lartë të votave, prin Sami Lushtaku
Në zgjedhjet lokale, disa kryetarë komunash kanë arritur të sigurojnë mbështetje të madhe qytetare, duke fituar me përqindje të larta të votave në komunat e tyre.
Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), aktualisht kryetari me përqindjen më të lartë të votave është Sami Lushtaku, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i cili fitoi në Komunën e Skenderajt me 83.45% të votave, duke lënë prapa të gjithë kandidatët e tjerë në nivel vendi.
Pas tij renditet Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i cili fitoi 58.78% të votave në Komunën e Istogut.
Në vendin e tretë është Agim Aliu nga PDK, që fitoi 56.47% të votave në Ferizaj.
I katërti në këtë listë është Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 53.42% në Podujevë, ndërsa menjëherë pas tij renditet Ekrem Kastrati nga Nisma Socialdemokrate, i cili mori 53.41% të votave në Malishevë.
Lista vazhdon me Ramiz Lladrovcin, kandidat i pavarur në Komunën e Drenasit, i cili fitoi me 52.32% të votave, dhe më pas me Bashkim Ramosajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që fitoi 51.57% në Deçan.
Ndërsa në fund të listës së kryetarëve që fituan me përqindje të larta janë:
Imri Ahmeti (LDK) – Lipjan me 51.15% të votave.
Mehmet Ballazhi (PDK) – Hani i Elezit me 50.94% të votave.
Kadri Rahimaj (LVV) – Kamenicë me 50.56%.
Qemajl Aliu (LVV) – Shtime me 50.47% të votave. /Telegrafi/


