KQZ konfirmon: Drenasi shkon në balotazh (LIVE)
Ekipi i Telegrafit dhe RTV Dukagjini sot gjatë gjithë ditës do të jenë në Komunën e Drenasit për të përcjell procesin e votimit në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për kryetar të Komunës.
Këtu do t'i keni të gjitha informatat, minutë pas minute, në kohë reale për zgjedhjet në Drenas, deri në mbylljen e vendvotimeve dhe shpalljen e rezultateve jozyrtare nga shtabet zgjedhore të kandidatëve për kryetar të Komunës.
04/12/2016 22:17-Drenasi shkon në balotazh
Komuna e Drenasit do të shkojë në balotazh.
Sipas rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror Zgjedhor, është Ramiz Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Isa Xhemajlaj nga NISMA, të cilët do të garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve në këtë komunë.
Kjo për faktin se Lladrovci nuk ia ka dalë të marrë 50 për qind të votave. Në 95 vendvotime të numëruara, Lladrovci ka marrë 45,21 për qind të votave, ndërsa Xhemajlaj 27,31 për qind.
Balotazhi pritet të mbahet më datën 1 janar.
04/12/2016 22:04-Drenori: Është dëm i madh nëse Lladrovci drejton Drenasin
Kandidati i pavarur për zgjedhjet në Drenas, Xhavit Drenori, ka thënë se ka marrë rreth 12 për qind të votave të përgjithshme në Drenas, njofton Klan Kosova.
“Kemi pritur më shumë, por megjithatë jam i lumtur për ata mbi dymijë votues që më kanë votuar. Është shumë dëm i madh nëse me Drenasin qeveris Ramiz Lladrovci”, ka thënë Drenori për Klan Kosova. “Në Drenas sot vendin e parë e ka arritur PDK, jo Ramiz Lladrovci. Ai nuk është i denjë që ta drejtojë Drenasin”.
04/12/2016 21:45-Rezultatet e KQZ-së nga 51 vendvotime
Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar rezultatet e 51 vendvotimeve, për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Drenasit
Sipas këtyre rezultateve, kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci, prin më 45, 77 % të votave. I dyti është Isa Xhemajlaj me 28,40 %.
Ndërsa, i treti më radhë është kandidati i pavarur Xhavit Drenori më 11.75%.
Pa u numëruar kanë mbetur edhe 21 vendvotime.
04/12/2016 21:22-KIZ: Lladrovci dhe Xhemajlaj në balotazh
Driton Selmanaj nga Koalicioni për Integritet Zgjedhor ka bërë publike rezultatet preliminare të 80 për qind të votave të numëruara në Komunën e Drenasit.
Sipas Selmanajt, PDK ka fituar 46.57 për qind; Nisma 26.20 për qind; kandidati i pavarur Xhavit Drenori 19.78 për qind; AKR 7.3 për qind; LDK 5. 37 për qind, Fjala 2 për qind.
Duke u bazuar në këto rezultate Selmanaj tha se në Komunën e Drenasit do të ketë balotazh ku sipas tij në garë do të jenë kandidati i PDK-së Ramiz Lladrovci dhe ai i Nismës Isa Xhemajlaj.
04/12/2016 20:43-Mësoni rezultatet preliminare, në kohë reale
KQZ, në faqen e saj është duke publikuar të dhënat preliminare për zgjedhjet në Drenas.
Rezultatet, për kandidatët, mund t’i shihni duke klikuar direkt: KËTU.
Deri tash prin kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci. /Telegrafi/
04/12/2016 20:31-Edhe FJALA e AKR thonë se do të jenë në balotazh
Kandidati i Partisë “Fjala”, Vehbi Berisha, ka thënë se në procesin e sotëm zgjedhor në Drenas nuk janë shënuar incidente të mëdha, njofton Klan Kosova.
“Pres që të kemi një renditje të mirë në këto zgjedhje. Kandidatura ime është vlerësuar nga qytetarët. Natyrisht qysh nga fillimi kam thënë se do të kemi balotazh dhe këtë e them edhe tash. Për preferenca, do të shikojmë edhe frymën e qytetarëve që janë deklaruar për ndryshime dhe do të marrim vendim”, ka thënë Berisha.
Ndërkaq, Agim Bahtiri i AKR-së ka thënë se “asnjë parti nuk del fituese në Drenas pa balotazh. Ne jemi duke udhëhequr në pjesën andej hekurudhës. Vëzhguesit dhe komisionerët po na lajmërojnë për rezultatet dhe jemi shumë mirë, por ende nuk dihet deri në fund. Ne po udhëheqim në një pjesë shumë mirë”.
04/12/2016 20:04-Edhe PDK e bindur në fitoren e Lladrovcit pa balotazh
Në selinë e PDK-së në Drenas janë mbledhur shumë simpatizantë, të cilët po presin rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këtë komunë.
Zëdhënësi i shtabit të PDK-së në Drenas, Betim Berisha, për Klan Kosova ka thënë se në PDK mbizotëron një frymë pozitive për fitore.
“Dita e sotme ishte e mirë, me diell, falënderoj qytetarët që kanë treguar për pjekurinë dhe demokracinë. Procesi ka përfunduar pa asnjë incident, duke mos lënë anash incidentet e vogla që kanë qenë të lokalizuara”, tha Berisha.
Ai ka shtuar se rezultatet e para që vijnë nga terreni tregojnë për një rezultat të fitores së bindshme të kandidatit të PDK-së, Ramiz Lladrovci.
“Simpatizantët e PDK-së janë më të devotshmit në Drenas, në orën 21:00 do të dalin rezultatet për fitoren tonë. Lladrovci është në seli duke pritur, dhe është shumë i relaksuar. Unë besoj se ashtu si kanë festuar herët tjera, do të festojnë edhe sot”, tha ai. /Klan Kosova/
04/12/2016 20:01-Shtatë persona janë shoqëruar në Polici, janë hapur tri raste
Sot, që nga orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës - respektivisht Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës - ka zhvilluar planin operativ në Drenas, ku u mbajtën zgjedhjet lokale.
Prej orës 07:00, deri më tani, nga zyrtarët policorë janë shoqëruar në stacione policore
shtatë persona, prej tyre pesë si të dyshuar, ndërsa dy në cilësinë e dëshmitarëve. Që të gjithë pas përfundimit të procedurave policore me urdhër të prokurorëve përkatës janë liruar.
Megjithëse ka pasur raportime të ndryshme, me urdhër të Prokurorisë të Shtetit janë hapur tri raste për:
• Kanosje
• Dhënia ose marrje e ryshfetit lidhur me votim si dhe
• Prishje e rendit dhe qetësisë publike.
Me rastet po merren njësitet përkatëse në bashkëpunim me Prokurorinë. /Telegrafi/
04/12/2016 19:55-Xhemajlaj: Nuk ka balotazh, nga nesër jam kryetar
Kandidati i Nismës në Drenas, Isa Xhemajlaj, ka thënë se është i kënaqur me daljen e qytetarëve në këto zgjedhje.
“Përgjithësisht, kësaj here ka shkuar diçka më mirë se herëve të tjera. Ka pasur ndalje të rrymës, arrestime të komisionerëve dhe më e çuditshmja është se është arrestuar zëdhënësi i degës së Nismës në Drenas. Mendoj se rezultatet i kam pasur tash e një javë dhe që nga nesër do të jem kryetar komune. Nuk mbetet në balotazh fare”, ka thënë Xhemajlaj.
04/12/2016 19:43-PDK nis festën në Drenas
Para zyrave të PDK-së në Drenas janë mbledhur shumë qytetarë me vetura dhe me flamuj të PDK-së.
Ende pa u bërë gjysmë ore nga mbyllja e vendvotimeve, simpatizantët e PDK-së veç se kanë filluar festën nëpër rrugët e Drenasit.
Kjo parti ka paraparë një koncert në sheshin e qytezës për të festuar fitoren e kandidatit të tyre, Ramiz Lladrovci. /KP/
04/12/2016 19:34-Dalja e votuesve afro 41 për qind, rezultatet e para në orën 21:00
Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, njofton se në orën 19:10 janë mbyllur të gjitha vendvotimet në Komunën e Drenasit.
“Dalja e votuesve në zgjedhjet e sotme është 21,723 votues apo shprehur në përqindje - 41. Trendi i daljes është rritur prej 9% nga ora 16:00.”
“Të gjitha vendvotimet janë mbyllur deri në ora 19:10 dhe nuk është shënuar ndonjë parregullsi gjatë mbylljes”, shkruan në një postim të Demokracia në Veprim në Facebook.
Ndërkaq, në konferencën për shtyp, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se numri i votuesve në komunën e Drenasit ka qenë 21 mijë e 318 votues apo 40.55 për qind.
Procesi ka shkuar pa ndonjë parregullsi që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve.
Nga ora 19:00 ka filluar të rrjedh afati prej 24 orësh për paraqitjen e ankesave
Rreth orës 21:00 do të dalin rezultatet e para preliminare. /Telegrafi/
04/12/2016 19:06-Mbyllen vendvotimet në Drenas
Në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha vendvotimet në komunën e Drenasit.
Reporterët e KosovaPressit, nga terreni raportojnë se tashmë është mbyllur edhe qendra më e madhe në shkollën “Rasim Kiçina” dhe ajo në shkollën “Halil Bajraktari”.
Në këtë Komunë sot janë mbajtur zgjedhjet për kryetar të komunës pasi që Nexhat Demaku dha dorëheqje nga kjo pozitë pasi që Gjykata e Apelit ia konfirmoi dënimin prej tri vitesh.
Votimet në këtë komunë kanë filluar në orën 7:00 të mëngjesit dhe të drejtë vote kanë mbi 52 mijë votues të kësaj komune.
Në garë për të parin e Drenasit janë Ramiz Lladrovci nga PDK, Isa Xhemajlaj nga Nisma, Bedri Nika nga LDK, Vehbi Berisha nga partia Fjala, Elmi Thaçi nga AKR dhe Xhavit Drenori kandidat i pavarur.
04/12/2016 18:34-KEDS: Ka rrymë në tërë Komunën e Drenasit
KEDS, përmes njoftimi deklaron se të gjitha vendvotimet në Komunën e Drenasit kanë energji elektrike.
“Ekipet e KEDS-it janë vazhdimisht në terren dhe duke u përkujdesur maksimalisht që furnizimi të jetë pa ndërprerje. Janë ndalur disa trafo për shkak të mbingarkesave, në mënyrë që të mos afektohet procesi zgjedhor dhe të mos vije deri tek rënia e largpërçuesve”, thuhet në njofitm. /Telegrafi/
04/12/2016 18:19-KIZ: Shqetësuese, ndalja e rrymës dhe votimi familjar
Koalicioni për Integritet Zgjedhor, në një konferencë për media ka njoftuar se deri në orën 16:00 dalja e qytetarëve në zgjedhje në Komunën e Drenasit është 32 për qind. Ndërsa, u tha se janë evidentuar parregullsi, siç është fotografimi i votës, votimi familjar, asistimi i vëzhguesve të partive politike në votimin e qytetarëve në Komunën e Drenasit dhe parregullsi tjera të cilat kanë zbehur procesin e votimit në komunën e Drenasit.
Betim Musliu, nga KIZ, në një konferencë për media tha se deri tani janë katër raste ku komisionerët dhe vëzhguesit janë marrë në pyetje, lidhur me incidente të ndryshme në vendvotime.
Musliu tha se përveç rastit të Abrisë, ku ka pasur një marrje në pyetje të kryesuesit për shkak të dyshimeve se në këtë qendër të votimit ka pasur një fotografim të votës, është arrestuar dhe një vëzhgues tjetër në Gradicë, i cili dyshohet për vepër penale të kanosjes, dhe se edhe dy vëzhgues të tjerë janë duke u intervistuar nga ana e Policisë. Si shqetësim ai e përmendi dhe ndaljen e rrymës në fshatin Qikatovë në orët e mbrëmjes.
“Informacioni i fundit që vjen është se në fshatin Qikatov ka ndalim të rrymës. Është një shqetësim që e kemi adresuar. Gjatë ditës kemi pasur raste të evidentuara të fotografimit të votës dhe kjo paraqet një prej shqetësimeve, sepse në këtë rast po shohim se dikush i ka borxh dikujt. Fakti që po fotografohet vota, le me nënkuptua se dikush ka me i raportu dikujt. Po ashtu, ajo që ka qenë shqetësim dhe pothuajse është shndërruar në traditë është çështja e votim it familjar, ku vetëm nga ora 12 deri në orën 16, janë 23 raste të reja të evidentuaratha ai.
04/12/2016 18:02-DnV: Shtohen presionet në vendvotime
Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” thotë se po vazhdon ta vëzhgojë procesin zgjedhor në territorin e Komunës së Drenasit.
Dalja e votuesve deri në orën 16:00 është 16,889 (përfshirë ata me kusht) apo shprehur në përqindje - 32. Trendi i daljes nga ora 12:00 është rritur për 19 për qind.
“Trendi i votimit sipas familjar ka shënuar rënie. Kurse problemet me listën e votuesve kanë shënuar ngritje. Deri më tani janë evidentuar 156 ankesa në këtë drejtim. Është evidentuar rritje e numrit të personave që asistojnë më shumë se një herë votuesit. Po ashtu është vërejtur rritje e numrit të personave të paautorizuar në vendvotime, ku janë evidentuar të paktën 6 raste deri më tani” , ka vlerësuar “Demokracia në Veprim”.
Prej orës 12:00-17:00: Në vendvotimin 0314E/01R në Negrovc, shkolla “Jusuf Gërvalla”, dy votues kanë refuzuar të votojnë në kabinë dhe kanë realizuar votim të hapur. Në vendvotimin 0314E/02D në Negrovc, shkolla “Jusuf Gërvalla”, në ora 15:10 është evidentuar një konflikt verbal mes një votuesi dhe një vëzhguesi të Nisma për Kosovën. Si rezultat Policia i ka larguar nga vendvotimi të dy palët.
Në qendrën e votimit 0322E, në Qikatovë të Vjetër, shkolla “Dëshmorët e Drenicës”, është raportuar se grupe të organizuara të vëzhguesve të PDK-së janë duke ushtruar presion ndaj votuesve që po presin në radhë për të votuar.
Në vendvotimin 0327E/02D, në Gllobar, shkolla “Naim Frashëri”, janë evidentuar 14 raste të asistimit për të votuar. Në vendvotimin 0312E/01D në Likoshan, shkolla “Rexhep Gjeli”, disa votues pas votimit kanë vazhduar të qëndrojnë në oborrin e shkollës.
Vëzhguesit e DnV-s ë e kanë raportuar rastin dhe policia më pas ka intervenuar duke i shpërndarë.
DnV u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Drenasit, me të drejtë vote që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Njëkohësisht DnV, kërkon që organet përgjegjëse për sigurimin dhe administrimin e zgjedhjeve të garantojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në këto orë të fundit të procesit zgjedhor. Po ashtu, DnV kërkon nga subjektet politike që të tregohen të përmbajtura dhe të mos pengojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
04/12/2016 17:56-PDK: NISMA e AKR po blejnë votat
Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të PDK-së në Drenas, Betim Berisha, ka thënë se Drenasi tashmë është vërshuar nga aktivistë të Nismës nga Malisheva dhe AKR-së nga Mitrovica, të cilët po tentojnë që t’i blejnë votat.
Berisha në një konferencë për media tha se asnjë komisionier i PDK-së nuk e ka provokuar situatën dhe se ata që po provokojnë situatën janë komisionerët e Nismës. Berisha i ftoi simpatizantët e Nismës dhe AKR-së që të mos humbin kohë, dhe të mos udhëtojnë nga Mitrovica e Malisheva për ta prishur procesin zgjedhor në Drenas, sepse do të ndahen të zhgënjyer me votën që do ta marrin nga qytetarët e Drenasit.
“Unë do t'ua jap një lajm juve dhe i bëj apel Policisë në Drenas dhe Prokurorisë se tash veç ka filluar të mbushet Drenasi aktivistë nga Malisheva dhe Mitrovica, të cilët besoj dhe shpresoj që procesi të shkoj mirë. Mirëpo, vërshimi i tyre në këto orë të vona, duke i munduar t’i joshin qytetarët e Drenasit dhe të blejnë votën e qytetarëve të Drenasit, unë u them se nuk blihet vota e qytetarëve të Drenasit. PDK është e sigurte që do të jetë fitimtare në këto zgjedhje... Unë i ftoj dhe partitë tjera të cilat i ka kapur një panik, s’ka nevojë as nga Mitrovica, e sidomos as nga Malisheva që t’i kap panik për humbjen e tyre në Drenas. Unë ftoj dhe bëj apel të gjithë vëzhguesve dhe komisionerëve që ta ruajnë votën e qytetarit ashtu siç e kanë ruajtur çdo herë”, tha zëdhënësi i PDK-së në Drenas, Betim Berisha.
04/12/2016 17:40-Nisma: Po na arrestojnë njerëzit e partisë
Sekretari për ekonomi dhe financa i Nismës për Kosovën, Shyqyri Bytyqi, tha se kanë filluar arrestimet e disa aktivistëve të partisë së tyre, përfshirë zëdhënësin e partisë, një vëzhgues dhe komisionerin e Nisma-së.
“Vëzhguesi jonë në Negroc ka denoncuar deputeten Sala Shala e cila ka qenë dy herë në këtë pikë votimi. Kjo ka qenë pengesë në mbarëvajtjen në këtë pikë votimi. Pas denoncimit nga ana e vëzhguesit tonë, në vend që të shikohet nga ana e Prokurorisë se përse po e pengon këtë pikë të votimit arrestohet vëzhguesi jonë”, tha Bytyqi i Nisma për Kosovën, transmeton Kosovapress.
Qëndrim Krasniqi, ka qenë njëri nga personat që është ndalur sot nga Policia në Drenas.
Lajmin për Klan Kosovën e ka konfirmuar edhe vetë Krasniqi, pasi është liruar nga Policia.
“Po isha njëri ndër ata që Policia i ndaloi. Këto shoqërime në Polici po bëhen për qëllime politike, ka akoma vëzhgues të ndalur, por ata nuk janë vetëm të NISMA-s”, tha ai.
“Mandati i Policisë dhe prokurorisë në këtë proces zgjedhor është ekskluzivisht marrja me zhvillimet që ndodhin brenda hapësirave në të cilat zhvillohet procesi zgjedhor dhe jo ndjekja dhe arrestimi i anëtarëve dhe zyrtarëve të partive politike të cilët denoncojnë parregullsitë që bëhen nga eksponentë të PDK-së. Ftojmë drejtuesit e policisë dhe prokurorisë të marrin masa kundër këtyre eksponentëve të kapur të Policisë dhe Prokurorisë qëllimi i të cilëve është që përmes metodave të kërcënimit t'ia mundësojnë pushtetit devijimin e vullnetit të qytetarëve të Drenasit. Kjo duhet të merr fund menjëherë, sepse, nuk ka forcë që do ta ndalë vullnetin e qytetarëve të Drenasit për ndryshim”, thuhet në një kumtesë të Nismës dërguar mediave.
04/12/2016 17:36-“AKR-ja ia shtron rrugën me zhavorr sot fshatit Tërstenik në këmbim të votave” (Foto)
Në fshatin Tërstenik të Drenasit, kandidati i AKR-së për kryetar të Drenasit edhe sot ka vazhduar të blejë vota në këmbim të shtrimit të rrugëve me zhavorr. Ai në lagjen Spahiu sot ua ka dërguar zhavorrin.
Lajmi.net ka siguruar foto, ku shihet duke u kryer punimet dhe mund të vërehet se zhavorri është i freskët.
Për shtrimin e rrugëve me zhavorr nga kandidati i AKR-s ishte raportuar edhe ditë më parë për një rast në fshatin Arllat. /lajmi.net/
04/12/2016 17:26-PDK: Partitë e vogla po e provokojnë situatën
Zyrtarët e PDK-së në Drenas kanë theksuar se procesi zgjedhorë deri në ora 13:00 ka shkuar mirë. Ndërkaq, sipas tyre, procesi është shfaq me disa parregullsi nga ana e partive të vogla.
“Deri në ora 13:00 kemi pas një proces të rregullt dhe nga partitë e vogla janë shfaq disa parregullsi të vogla. Unë ju njoftoj të gjithëve qytetarëve të votojnë qetë dhe mirë. Ju bëj apel Policisë dhe Prokurorisë se ka njerëz që po tentojnë të blejnë vota. Të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre. Nuk ka nevojë të bëhet panik. Të gjithë vëzhguesit ta ruajnë votën e qytetarëve. PDK nuk e ka provokuar situatën; nga Nisma po provokojnë situatën”, ka thënë një zyrtar i PDK-së. /ZERI/
04/12/2016 17:20-KDI: Deri në orën 17:00 nuk kemi evidentuar ndonjë parregullsi
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se deri në orën 17:00 nuk ka pasur ndonjë parregullsi shqetësuese gjashtë procesit zgjedhor në Drenas.
Visar Sutaj nga KDI i ka thënë KosovaPressit se nga vëzhguesit tanë në qendrat e votimit, nuk ka ndonjë evidentim për parregullsi.
04/12/2016 17:09-Votimi në Drenas përmes fotografive (Foto)
Sot qytetarët e Komunës së Drenasit i janë drejtuar kutive të votimit për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune.
Në garë për kryetar të Drenasit janë: Ramiz Lladrovci nga PDK, Isa Xhemajlaj nga koalicioni Nisma-AAK, Bedri Nika nga LDK, Vehbi Berisha nga Fjala dhe Xhavit Drenori i pavarur. Në lisën e votimit do të jenë edhe emrat e dy kandidatëve të pavarur që janë tërhequr nga gara, Naim Bazaj dhe Rrahim Elshani,
Të drejtë vote kanë 52 mijë e 569 votues, ku krahasuar me zgjedhjet e fundit, të drejtë vote kanë edhe 2,338 votues të rinj, apo 4.45 për qind më shumë. /KP/
04/12/2016 17:05-Nisma: Policia e Prokuroria janë vënë në shërbim të pushtetit
Sekretari për Ekonomi dhe Financa i Nismës për Kosovën, Shyqyri Bytyqi, nga selia e partisë në Drenas, ka thënë se Policia dhe Prokuroria e Shtetit janë vënë në shërbim të pushtetit.
“Po na i arrestojnë vëzhguesit tanë në Negroc. Kemi arrestim të komisionerit tonë. Policia dhe Prokuroria mos të bëhen dorë e zgjatur e pushtetit. Këto orë tash të pasdites të mos bëhen për manovrime të votave", tha Bytyqi i Nisma për Kosovën. /KP/
04/12/2016 17:01-DnV: Deri në ora 16:00 votuan 32 për qind e qytetarëve
Koalicioni i Organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve, “Demokracia në Veprim”, ka raportuar se deri në ora 16:00 në Drenas kanë dalë në votime 32 për qind e votuesve.
“Dalja në zgjedhje deri në ora 16:00 është 16,889 votues apo përkthyer ndryshe, në 32 për qind. Trendi i daljes nga ora 12:00 është rritur për 19 për qind”, raporton DnV. /KosovaPress/
04/12/2016 16:17-Vërehen parregullsi në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas
Në kuadër të projekteve të monitorimit, KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka monitoruar procesin e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit.
Mbi 20 monitorues janë të angazhuar në monitorimin e dhjetë qendrave të votimit. Deri në orën 15:00 monitoruesit kanë vërejtur disa parregullsi në mbarëvajtjen e procesit të votimit.
Parregullsi janë vërejtur kryesisht në votimet me asistencë dhe problemet me fotografimin e votës të cilat në disa kanë ngjallur reagime në qendrat e votuesve.
Në qendrën e votimit në fshatin Polluzhë janë vërejtur probleme gjatë votimit me kusht ku të dhënat e personave që kanë asistuar nuk janë shënuar në procesverbal. Tek pas pyetjeve të monitoruesve të dhënat janë shënuar në procesverbal.
Në po të njëjtën qendër, monitoruesi ka filmuar kryesuesin e qendrës së votimit tek asiston një qytetar gjatë votimit, veprim ky i ndaluar me ligj.
Në qendrën e votimit në fshatin Gllanasellë, monitoruesit kanë vërejtur se një person u ka asistuar dy apo më shumë personave, veprim i cili gjithashtu është në kundërshtim me ligjin. Votim me asistencë gjatë procesit është vërejtur edhe në qendrën e votimit në Llapushnik.
Mosidentifikimi i personave që asistojnë është vërejtur edhe në disa qendra të tjera.
Gjatë monitorimit është vërejtur edhe prezencë e zyrtarëve policorë brenda qendrave të votimit. Kryesuesit e këtyre qendrave kanë ndërmarrë veprime për largimin e tyre nga qendrat vetëm pas raportimit nga KALLXO.com.
Ndër problem të tjera të mbarëvajtjes së zgjedhjeve janë edhe mungesa e paarsyetuar e komisionevëve në disa prej qendrave të votimit.
Në nisje të procesit në fshatin Gllanasellë nuk ka pasur energji elektrike e cila është kompensuar me një gjenerator.
Pas verifikimit të keqpërdorimeve eventuale në këtë proces, KALLXO.com do t’i adresojë të gjeturat e veta në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Prokurorinë e Shtetit brenda afatit ligjor.
04/12/2016 15:49-Flet kryesuesi i vendvotimit që u ndalua nga Policia
Fadil Xhemajlaj, kryesues i një vendvotimi Qendrën e Votimit në Shkollën “Shote Galica” në Abri të Epërme, i cili u shoqërua në polici, është liruar sërish.
Ai u akuzua se nuk e ka raportuar një parregullsi që ka ndodhur në sallën për të cilën ai është përgjegjës.
“Policia më kanë marrë në bazë të dyshimit të një vëzhguesi, i cili e ka parë një votues duke e fotografuar votën. Detyra e vëzhguesit është që sapo të shohë parregullsi të lajmërojë menjëherë. Votuesi ka dalë”, ka qenë kjo deklarata e Xhemajlajt për KALLXO.com, para se të pranojë një telefonatë.
Ai ka treguar se rastin e ka parë një vëzhgues i KDI-së, dhe ai e ka lajmëruar me vonesë.
Xhemajlaj ankohet edhe se po ka shumë vëzhgues të patrajnuar që po marrin pjesë në këto zgjedhje.
04/12/2016 15:48-Pjesëmarrja në votime, deri në orën 15:00: 27 për qind - 14 mijë e 193 votues
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e radhës për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit (Gllogocit).
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, bëri të ditur se në orën 15:00 kanë votuar 14 mijë e 193 votues apo 27 për qind e numrit të përgjithshëm të tyre.
Gjithashtu, kryetarja Daka njoftoi se procesi i votimit në këtë komunë po vijon me rregull.
Konferenca e radhës do të mbahet në orën 19:30 dhe ka të bëjë me mbylljen e procesit të votimit dhe me daljen e votuesve në zgjedhje.
Të dhënat e detajuara lidhur me pjesëmarrjen në votime t’i gjeni: KËTU! /Telegrafi/
04/12/2016 15:35-LDK i bën thirrje Policisë dhe Prokurorisë të ndalin parregullsitë në Drenas
Shefi i shtabit zgjedhor nga dega e LDK-së në Drenas, Rifat Billali ka treguar disa parregullsi që po ndodhin në qendra të ndryshme të votimit në këtë komunë. Ai ka kërkuar nga policia që t’i mbikëqyrin qendrat e votimit në Gradicë, Gllanasell dhe Komoran.
Bilalli tha që një vëzhgues i PDK-së është arrestuar nga policia për shkak që ka kërcënuar një anëtarë të KKZ-së nga LDK-ja.
Ai tha që në qendër të votimit në shkollën e mesme të ulët “Mehmet Gradica” në Gradicë është ndërprerë votimi për shkak të mungesës së komisionerëve, edhe pse ka komisionerë rezervë nga ana e LDK-së.
“Shtabi zgjedhor i LDK-së në Drenas në bazë të raporteve të vëzhguesve të vet në terren ka konstatuar këto parregullsi në qendrat e votimit. Si shtab zgjedhor kërkojmë nga policia të mbikëqyrë qendrat e votimit në Gradicë, Gllanasell dhe Komoran, ku ka lëvizje të madhe të njerëzve të paautorizuar. Rreth orës 14 një vëzhgues i PDK-së e ka kërcënuar Albion Nikën, anëtarë i KKZ nga LDK-ja dhe është arrestuar nga policia, kjo qendër që nga mëngjesi është manifestuar me parregullsi. Qendra e votimit në Gllanasell 0316 militantë të PDK-së janë tubuar në oborrin e qendrës së votimit, duke ju bërë presion votuesve për votim. Në qendrën e votimit në Likoshan 0312 E, krijohet tollovi nga militantët e PDK-së të cilët qëndrojnë para qendrës së votimit. Në orën 12:30 në vend votimin e shkollës së mesme të ulët 'Mehmet Gradica' në Gradicë 0305 E/02 është ndërprerë votimi për shkak të mungesës të komisionerëve”, tha ai.
Kurse, për qendrën e votimit në Komoran, ai thotë që lista e votuesve nuk ka qenë e kompletuar dhe që votimi ka filluar me vonesë.
04/12/2016 15:26-E gjen në listën e votimit nënën që vdiq para 6 vjetësh (Video)
Procesi zgjedhor për kryetar të Komunës në Drenas po përcillet me parregullsi. Një qytetar ka reaguar pasi që ka parë në Listën e Votuesve emrin e nënës së tij, megjithëse ajo nuk është në mesin e të gjallëve.
Enver Lulaj ka treguar për Ekonomia Online se gjatë kohës sa po votonte e ka parë në Listën e Votuesve dhe emrin e nënës së tij, e cila ka vdekur 6 vjet më parë.
“Kur e pash emrin e nënës reagova. Nëna ka vdekur qe 6 vjet, kjo është e tepërt dhe për atë reagova”, tha Lulaj.
Ai tha se kjo nuk është hera e parë që sheh emrin e nënës së tij në Listën e Votuesve.
Madje tha se në zgjedhjet e fundit e kishte parë dhe “nënshkrimin” e saj, pra duket se dikush ka votuar në emër të saj.Shefqet Bytyqi, menaxher i pikës së votimit në shkollën “Rasim Kiçina”, tha se ky është rasti i parë që po dëgjon që emri i një të vdekur gjendet në listë për të votuar.
Por, Bytyqi tha se çështja e pastrimit të listave i takon Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) dhe jo menaxherëve të qendrave të votimit.
04/12/2016 14:53-Momenti kur shoqërohet në Polici një vëzhgues në Gradicë (Video)
Një vëzhgues është shoqëruar në polici në Gradicë, ku është e vendosur Qendra e Votimit 0305e.
Shoqërimi i tij ka ndodhur pasi ai kishte problem me një vëzhgues tjetër.
KALLXO.com ende nuk ka arritur të konfirmojë për përkatësinë politike të vëzhgueseve që janë përplasur.
Në qendrën e Gradicës të drejtë vote kanë 871 votues.
Edhe në Abri u shoqërua sot në polici kryesuesi i vendvotimit 0307e.
04/12/2016 14:31-PDK: NISMA po manipulon dhe po shpif
Partia Demokratike e Kosovës përgënjeshtron spekulimet dhe shpifjet e Nismës për presion ndaj votuesve në Drenas.
Zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të PDK-së në Drenas, Betim Berisha, ka deklaruar se Nisma po përpiqet të zbehë kredibilitetin e zgjedhjeve në Drenas duke shpifë dhe shpërndarë akuza të pabaza në adresë të PDK-së.
“Deputetja e nderuar e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Berisha Shala e ka vendvotimin në shkollën fillore në Negroc dhe ajo menjëherë pas përfundimit të votimit është larguar nga vendvotimi. Andaj, shpifjet e subjektit Nisma ndaj zyrtarëve të lartë të PDK-së janë tendencioze dhe përpjekje për zbehjen e kredibilitetit zgjedhor”, ka thënë Berisha.
Berisha ka ftuar të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor që të ruajnë qetësinë dhe mos të përpiqen që përmes spekulimeve dhe shpifjeve të prishin imazhin e zgjedhjeve fer dhe demokratike në Komunën e Drenasit.
Zëdhënësi i PDK-së në Drenas, Betim Berisha gjithashtu u ka bërë thirrje mediave që të ruajnë objektivitetin dhe të raportojnë në mënyrë profesionale dhe pa ndikim nga subjektet politike.
Partia Demokratike po ashtu fton të gjithë qytetarët që ende nuk e kanë kryer procesin e votimit, që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë në numër sa më të madh, thuhet në njoftimin e PDK-së.
04/12/2016 14:30-Rihapet vendvotimi në Abri të Epërme
Pas mbylljes së përkohshme është rihapur përsëri vendvotimi në Abri të Epërme në shkollën “Shotë Galica”.
Kjo qendër ishte mbyllur për shkak të mosraportimit të një rasti të fotografimit të votës.
Në këtë rast kishte intervenuar edhe policia duke i intervistuar disa vëzhgues.
04/12/2016 14:28-Përfaqësuesi i Nismës në Korreticë provon të blejë vota për Isa Xhemajlin
Përfaqësuesi i Nismës për Kosovën në fshatin Korreticë e Ulët, po bën trysni mbi qytetarët në qendrën e votimit, duke kërkuar që të votojnë për kandidatin e Nismës për kryetar të Drenasit, ne këmbim të mjeteve financiare.
Sipas qytetarëve, emri i tij është Blerim Sinani dhe këtë premtim ai po ua bën qytetarëve duke kërkuar nga ta që ta fotografojnë votën e tyre për Isa Xhemajlin, kandidatin e Nismës për kryetar të Drenasit, njofton Lajmi.net.
04/12/2016 14:00-Nisma: Zyrtarët e PDK-së po bëjnë presion mbi votuesit
NISMA për Kosovën - Drenas, përmes një kumtese thotë se PDK-ja po bën presion në forma të ndryshme mbi qytetarët, vëzhgues të partive tjera, dhe komisionerët e partive tjera.
"Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Sala Berisha Shala, është duke qendruar në shkollën fillore 'Jusuf Gërvalla' në Negroc, dhe është duke bërë presion mbi qytetarët për ta votuar kandidatin e PDKsë. Në lidhje me këtë rast tashmë është njoftuar edhe prokuroria e Kosovës", thuhet në njoftimin e Nismës.
"Po ashtu, sipas informacioneve që kemi nga vëzhguesit tanë nëpër qendra të votimeve, edhe Naim Bazaj ka hyrë në shkollën fillore 'Ali Gashi' në Çikatovë të Re, i cili nuk ka asnjë të drejtë për të hyrë në këtë qender votimi, mëqe emri i tij figuron në listën e kandidatëve për kryetar komune".
"Gjithashtu, sipas disa informacioneve që na kanë ardhur, dyshohet se Selman Ibriqi, zyrtar i PDK-së, në Komoran është duke shpërndarë mjete financiare në këmbim të votës për kandidatin e tyre", thuhet në reagimin e Nismës.
Dega e NISMA për Kosovën në Drenas, reagon edhe në lidhje me rastin që, sipas tyre, është duke ndodhur në Llapushnik, saktësisht në shkollën fillore “Hasan Prishtina”.
"Një vëzhgues i PDK-së, është duke dalur jashtë objektit të qendres së votimit, dhe po bashkëbisedon me qytetarët që janë duke pritur për të votuar. Sipas informacioneve që na vijnë nga tereni, bëhet fjalë për vëzhguesin e PDK-së, Hamit Thaqi", thuhet në reagim.
04/12/2016 13:47-Arrestohet kryesuesi i qendrës së votimit në Abri, mbyllet qendra
Kryesuesi i Qendrës se Votimit në Abri, Fadil Xhemajlaj, është arrestuar dhe është duke u intervistuar në prokurori.
Xhemajlaj, vjen nga subjekti politik Nisma për Kosovën. Nga vendvotimi i tij janë shpërndarë fotografime të votave.
Mësohet se ajo qendër është mbyllur dhe jashtë kanë mbetur qytetarët duke pritur me radhë të gjatë për të votuar.
04/12/2016 13:44-DnV: Kryefamiljari shoqëroi 12 familjarë prapa kabinës së votimit
Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” po vazhdon ta vëzhgojë procesin zgjedhor në territorin e Komunës së Drenasit. Dalja e votuesve deri në orën 12:00 është 6,956 votues (përfshirë ata me kusht) apo shprehur në përqindje 13.23%. Raportohet se parregullësia më e shpeshtë që po shoqëron shumicën e vendvotimeve është votimi familjar, kur më shumë së një person voton prapa kabinës së votimit.
Kjo dukuri është identifikuar në 68 raste. Vetëm në Negrovc ka ndodhur që kryefamiljari t’i shoqëroj prapa kabinës së votimit 12 familjarë të tjerë.
“Në ora 12:40 në vendvotimin e dyfishtë 0305E/02D në Gradicë, shkolla “Mehmet Gradica”, tre komisionerë paralajmërojnë mbylljen e vendvotimit për shkak të vështirësive me menaxhim të procesit për shkak të fluksit të madh të votuesve”, thuhet në njoftim.
Në vendvotimin 0319E/02D, në Zabel të Ulët, shkolla “Arif Shala”, një person është lejuar të votojë përkundër që i ishte identifikuar ngjyra në gishtërinj.
Janë raportuar së paku 86 raste me vështirësi të votuesve për gjetur emrin e tyre në listën e votuesve.
“Fotografimi i votës, ndonëse i ndaluar me ligj është dukuri e përsëritur edhe në këto zgjedhje. Së paku në 6 vendvotime/raste është vërejtur fotografimi i votës”, thuhet në njoftimin e koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në veprim”.
Po ashtu raportohet se në vendvotimin 0322E/01R, në Qikatovë të Vjetër, shkolla “Dëshmorët e Drenicës“, vëzhguesit e PDK-së bëjnë presion mbi vëzhguesin e DnV-së që të mos qëndrojë gjatë tërë kohës në vendvotim.
Në 5 raste të tjera i njëjti person ka asistuar më shumë se një herë votuesit për të votuar me asistencë. /Telegrafi/
04/12/2016 13:41-Kutitë me votat e të burgosurve mbetën 30 minuta jashtë Qendrës së Votimit
Te Qendra e Votimit në Shkollën Fillore “Rasim Kiqina” në Drenas janë sjellur kutitë me votat e të burgosurve nga Burgu i Lipjanit.
Këto kuti më shumë se gjysmë ore kanë qëndruar jashtë dhe janë mbikëqyrë nga zyrtarët e Policisë së Kosovës. Ndërkohë, kanë ardhur anëtarët e KQZ dhe kutitë janë futur brenda, raporton Telegrafi.
Ndryshe, menaxheri i Qendrës në shkollën “Rasim Kiqina”, Shefqet Bytyqi, ka thënë se deri në orën 13 kanë votuar 712 votues apo 18% e votuesve.
04/12/2016 13:25-Flet Tringa Krasniqi, që votoi për herë të parë
Në Zgjedhjet e jashtëzakonshme që po mbahen sot për Kryetar të Komunës së Drenasit, në mesin e votuesve ka edhe votues të rinj, të cilët tashmë e kanë mbushur moshën madhore.
Qendrën e Votimit në Shkollën Fillore “Rasim Kiqina” në Drenas, votën e saj e ka hedhur Tringa Krasniqi.
“Sot votova për herë të parë. Nga këto zgjedhje pres ndryshime më të mira për qytetarët e Drenasit”, tha Tringa, për Telegrafin.
04/12/2016 13:08-KIZ: Votime familjare, fotografime të votës e parregullsi të tjera (Video)
Albulena Nrecaj nga Koalicioni për Integritet Zgjedhor (KIZ), që po monitoron procesin zgjedhor në Drenas, tha se deri në orën 12:00 kanë dalë në votime 12 për qind e votuesve, por janë regjistruar edhe parregullsi.
Sias Nrecajt janë regjistruar 38 raste të votimeve familjare, asistence, fotografime të votës, nxjerrja e listës së votuesve jashtë qendrave të votimit, mungesë e fletëvotimit për persona të verbër.
“Ka pasur mungesë të komisionerëve. Gjithashtu është regjistruar publikim te votës – fotografimi në pesë raste. Në fshatin Sankofc kryesuesi e ka nxjerr jashtë listën e votimit. Në Koreticë në orën 12:30 s’ka pas komisionerë dhe kutia ë vendvotimit ka qenë e vetme në sallë. Në Gradicë është mbyllë vendvotimi Nr.2, për shkak se nuk ka komisionerë”, ka thënë Nrecaj. /Telegrafi/
04/12/2016 12:21-PDK vlerëson lart procesin zgjedhor në Drenas
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e vlerëson procesin zgjedhor në komunën e Drenasit, që po zhvillohet sot, si një dëshmi e pjekurisë politike dhe jetës demokratike në Kosovë.
“Si parti me rol determinues në procesin e pavarësimit dhe shtetndërtimit, Partia Demokratike e Kosovës i vlerëson zgjedhjet e lira, fer dhe demokratike, si zhvillimin më të rëndësishëm në ndërtimin e shtetit të Kosovës në nivel lokal”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
“Falënderojmë qytetarët për procesin e qetë zgjedhor dhe i ftojmë për pjesëmarrje masive për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike nëpërmjet votës së lirë, thuhet në njoftimin e PDK-së”, thuhet në njoftim.
04/12/2016 12:00-Shkelën rregullat e fushatës zgjedhore: Gjobiten PDK dhe LDK
Dy ankesat e KDI/DnV, ndaj dy subjekteve politike PDK dhe LDK në Drenas, janë marrë si të bazuara dhe subjekteve u është shqiptuar dënimi pre 1200 euro.
Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” njofton se “PZAP, miraton si të BAZUARA dy ankesat e KDI/DnV, ndaj dy subjekteve politike PDK dhe LDK për shkak të shkeljeve të rregullave të fushatës zgjedhore”, thuhet në njoftim.
DnV njofton se dënimi i shqiptuar nga PZAP është gjobë në vlerë prej 1200 euro.
04/12/2016 11:59-Deri në orën 11 votuan 4 mijë votues
Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka thënë se procesi i votimit në Drenas deri tash ka shkuar në rregull.
Daka në konferencën e parë për media nga KQZ ka dhënë edhe numrin e votuesve deri në orën 11:00.
“Në bazë të dhënave në Komunën e Gllogovcit, deri në orën 11;00 , kanë votuar 4 mijë e 10 votues , apo 7.63 përqind të votuesve , nga 52 mijë e 59 sa është totali i votuesve . Deri më tani , sipas informacioneve tona, procesi i votimit është duke shkuar në rregull“, tha Daka.
KQZ ka paralajmëruar konferencën e radhës në ora 15:00.
04/12/2016 11:48-Voton Vehbi Berisha
Kandidat i Partisë Fjala për kryetar të Komunës së Drenasit, Vehbi Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij ka hedhur votuar në Qendrën e votimit në shkollën fillore "Xhevë Lladrovci" në Gllanasellë.
“Unë e ushtrova të drejtën e votimit. Ftoj edhe qytetarët që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit. Shpresoj që dalja e qytetarëve të jetë e mirë”, tha Berisha. /Telegrafi/
04/12/2016 11:39-PDK: Militantë të AKR-së pa kartela identifikuese po sillen si komisionerë
Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë shprehur shqetësimin e tyre për pjesëmarrjen e militantëve të partive politike si komisionerë në vendvotime, pa ID të certifikimit nga KQZ-ja.
Në vendvotimin e shkollës “Naim Frashëri” në fshatin Bletar, ish-Gllobar, sipas tyre, dy komisionerë të AKR-së janë pa ID të certifikimit nga Komisioni Qendror Zgjedhor.
PDK thotë se zyrtarët saj kanë kërkuar nga udhëheqësit e vendvotimit që t’i largojnë menjëherë këta dy komisionerë nga radhët e AKR-së.
04/12/2016 11:34-Lladrovci apelon për proces zgjedhor të rregullt
Kandidat i PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka votuar në Qendrën e votimit në shkollën fillore "Xhevë Lladrovci" në Gllanasellë.
I shoqëruar nga bashkëshortja, nëna, vajza dhe djali, Lladrovci ka apeluar për dalje të qytetarëve në zgjedhje.
“E shfrytëzum të drejtën me votu. Thërras qytetarët me dalë me votu. Drenasi gjithmonë ka ditë me votu. Thërras vëzhguesit të kenë kujdes që këto zgjedhje të shkojnë në mënyre të drejtë”, tha Lladrovci./Telegrafi/
04/12/2016 11:25-Nika i LDK-së fton qytetarët të dalin të votojnë
Kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, Bedri Nika, ka votuar në Qendrën e votimit në shkollën fillore "Xhevë Lladrovci" në Glanasellë.
Nika, i cili në qendrën e votimit shoqërohej nga bashkëshortja, vajza dhe djali, i ka ftuar qytetarët që të dalin të votojnë të preferuarin tyre.
04/12/2016 11:14-KIZ: Vonesa të mëdha në vendvotime
Koalicioni për Integritet Zgjedhor (KIZ) e vlerëson si shqetësues rastin në qendrën e votimit 0318E /01R – Polluzhë, ku, sipas tyre, vëzhguesi i PDK-së u ka kërkuar të nënshkruhen të gjithë vëzhguesit e pranishëm në këtë vendvotim.
Albulena Nrecaj nga KIZ, në një konferencë për media ka thënë se sipas të dhënave nga monitoruesit e Koalicionit, nga 72 vendvotime 58 janë hapur me kohë, kurse 12 janë hapur me vonesë prej 10 deri 50 minutash.
Në shumicën e vendvotimeve vonesat kanë ardhur për shkak të mungesës së materialit zgjedhor.
“Vonesat më të mëdha janë identifikuar në këto vendvotime: Gllobar vendvotimi 0321E/02 është hapur me 50 minuta vonesë. Qikatove e vjetër0322E/ 02 është hapur me 50 minuta vonesë Likoshan përkatësisht vendvotimi 0312E, është hapur me 40 minuta vonesë për shkak të mungesës se Kryesuesit të këshillit të vendvotimit, anëtarët tjerë kanë vendosur për hapjen e vendvotimit pa prezencën e kryesuesit. Koalicioni e vlerëson si shqetësues rastin në qendrën e votimit 0318E /01R –Polluzhë, vëzhguesi i PDK-së i ka kërkuar të nënshkruhen të gjithë vëzhguesit e pranishëm në këtë vendvotim. Koalicioni veprimin e tillë e konsideron si të papranueshëm dhe si formë e presionit ndaj vëzhguesve të pavarur”, tha ajo.
Nrecaj tegoi se kanë pasur probleme me energji elektrike, ku i kërkojnë KEK-ut që të kujdesën për furnizim më energji elektrike, sepse mund të kenë probleme në orët e vona të mbrëmjes. Gjithashtu ajo tha se janë njoftuar për disa persona të pa autorizuar në qendra të votimit, prej nga edhe janë evidentuar parregullsi për shkak të prezencës së tyre.
“Gjithashtu një parregullsi tjetër që është raportuar kanë qenë edhe problemi me rrymën ku në qendra të votimit ka filluar edhe ndërprerja e rrymës. Koalicioni i bënë thirrje KEK-ut në mënyrë që të kujdeset për furnizimin me energji elektrike të mos ketë probleme sidomos në orët e vona të mbrëmjes kur edhe errësohet. Është vërejtur edhe prezenca e personave të pa autorizuar në afërsi të qendrave të votimit, ku vëzhguesit tonë kanë raportuar se nuk është duke shkuar gjithçka në rregull për shkak të prezencës së tyre. Koalicioni i bënë thirrje të gjithë qytetarëve dhe të gjithë grupeve të tjera që të jenë të kujdesshëm dhe të mos e pengojnë procesin zgjedhor në mënyrë që të kemi një besueshmëri të këtij procesi të zgjedhjeve në Drenas”, tha përfaqësuesja e KIZ, Albulena Nrecaj.
04/12/2016 11:05-Plaku nga Gllanasella: Kushdo që të fitojë është i mirë, jemi vëllezër (Video)
Votën për kryetarin e ardhshëm të Komunës së Drenasit e ka hedh në kuti edhe 77-vjeçari, Ibush Berisha, i cili ka votuar në shkollën fillore “Xhevë Lladrovci”.
Ai ka thënë kushdo që fiton është mirë për të gjithë.
“Nuk bën me pas ndasi sepse ne jemi vëllezër”, tha plaku nga Gllanasella. /Telegrafi/
04/12/2016 10:54-Probleme me listat për të moshuarit në Drenas (Foto)
Në zgjedhjet për kryetar komune në Drenas është parë interesim edhe nga të moshuarit për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës.
Por, janë hasur probleme për t’i identifikuar ata në lista.
Një rast i tillë është edhe një i 80 vjeçarit në Shkollën “Rilindja” në fshatin Dobrashec, transmeton Klan Kosova.
04/12/2016 10:47-Një person voton për tre familjarë, tjetri voton në emër të gruas
Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka dërguar një listë me parregullsitë e gjetura nga vëzhguesit e tyre në terren gjatë zgjedhjeve në Drenas.
Më poshtë po e publikojmë të plotë listën e parregullsive sipas Demokracia në Veprim të evidentuara nga terreni 10:00-10:30:
Në vendvotimin 0312E/01D, në Likoshan shkolla “Rexhep Gjeli”, një person voton për tre anëtarë të familjes.
Në vendvotimin 0307E/02D në Abri të Epërme, shkolla “Shote Galica”, është evidentuar fotografimi i fletëvotimit nga një votues.
Në vendvotimin 0309E/01R në Krajkovë, shkolla “Gani Elshani”, komisioneri ka shpërndarë dy fletëvotime një votuesi, ndërkohë që kjo është evidentuar nga komisioneri tjetër. Si rezultat fletëvotimi i dytë është shpallur i pavlefshëm.
Në vendvotimin 0313E/01R në Arllat, shkolla “Abedin Ejupi”, burri voton në emër të gruas së tij, edhe pse ajo nuk kishte nevojë për asistencë.
04/12/2016 10:41-Nisma: Menaxheri i qendrës në Komoran po thyen rregullat (Foto)
Dega e Nisma për Kosovën në Drenas, është duke parë thyrje të rregullave zgjedhore.
Sipas këtij subjekti në shkollën Xheldin Gashi-Plaku, në Komoran, menaxheri i kësaj qendre të votimit është duke daluar kohë pas kohe nga shkolla, duke kontaktuar me njerëz.
Sipas Nismës, menaxheri i kësaj qendre është duke u larguar me veturë prej qendrës së votimit në këtë shkollë, transmeton KP.
04/12/2016 10:33-Voton kandidati i pavarur Xhavit Drenori
Kandidati i Pavarur për Kryetar të Komunës së Drenasit, Xhavit Drenori Kandidat ka votuar mirëpo jo edhe bashkëshortja e tij.
Kjo pasi që emri i saj nuk është gjetur në listat e votimit, në Qendrën e votimit në shkollën “Rilindja” në Dobrashec.
“Sot është një dite e bukur, procesi zgjedhor deri më tani ka shkuar në rregull. Sot qytetaret e Drenasit janë të barabartë dhe besoj që do të tregojnë që janë shembull”, ka thënë Drenori, transmeton Klan Kosova.
04/12/2016 10:25-Voton kandidati i AKR-së, Elmi Thaçi
Kandidati i Aleancës Kosova e Re (AKR) për kryetar të Drenasit, Elmi Thaçi, e ka hedhur votën e tij, së bashku me bashkëshorten në shkollën “Hasan Prishtina”, qendra e votimit 0317e, në fshatin Llapushnik.
Pas votimit, Thaçi tha se presin ndryshime, duke thënë se vota e qytetarëve është e shenjt dhe si e tillë duhet ruajtur nga keqpërdorimet.
04/12/2016 10:18-Voton Xhemajlaj i Nismës: Pres zgjedhje demokratike (Video)
Kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit nga koalicioni NISMA-AAK, Isa Xhemajlaj, ka votuar në Qendrën e votimit të Shkollën “Halil Bajraktari”.
Ai tha se pret që këto zgjedhje të rrjedhin në mënyre demokratike dhe të mos ketë presione dhe qytetarët të votojnë lirshëm.
“Pres fitore, jo vetëm unë, por të gjithë qytetarët. Është bërë presion tek punëtorët, shërbyesit civilë. Po ashtu nuk ka munguar presoni edhe tek disa kompani, që janë të lidhura me pushtetin edhe në Drenas”, tha Xhemajlaj.
Menaxheri i Qndrës së votimit në Shkollën “Halil Bajraktari”, Gazmend Heta, tha për Telegrafin se nuk ka pasur parregullsi dhe se të gjitha pikat e vendvotimit janë hapur me kohë. Në këtë qendër janë 4 pika të vendvotimit.
04/12/2016 10:06-NISMA për Kosovën reagon për parregullsi
Dega e NISMA për Kosovën në Drenas shpreh shqetësimin e saj për numrin e madh të vëzhguesve të akredituar të partisë në pushtet, PDK-së.
"Po ashtu, PDK-ja ka futur në çdo klasë ku është duke u votuar edhe kinse “koordinator të vëzhguesve” gjë që bie ndesh me rregullat në fuqi të KQZ-së", thotë Nisma.
Gjithashtu, NISMA për Kosovën dega në Drenas është tejet e shqetësuar për faktin se reklama e kandidatit të PDK’së, vazhdon të jetë prezente nëpër ambiente të shkollave ku po votohet.
Gjithashtu, një foto e cila po qarkullon në rrjetet sociale, shihet se një qytetar i Drenasit, ka fotografuar votën e tij, thuhet në reagimin e Nismës.
04/12/2016 09:52-Daka: Procesi i votimit po shkon mirë (Video)
Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka vizituar në Qendrën e Votimit në Shkollën Fillore “Rasim Kiqina” në Drenas.
“Erdha për një vizite në Qendrën e votimit në shkollën 'Rrasim Kiqina', ku pata kënaqësinë të dëgjoj se gjithçka është duke shkuar në rregull. Shpresoj se edhe gjatë ditës gjithçka të shkojë mirë...”
Ajo tha se është e mundur ndonjë vonesë për shkaqe teknike, por nuk ka pengesë që dëmton procesin, apo tendencë për dëmtim të procesit.
04/12/2016 09:28-Ekipi i prokurorëve po përcjell zgjedhjet në Drenas
Prokurori i Shteti, ka angazhuar ekipin e prokurorëve të mjaftueshëm në komunën e Drenasit dhe në Prishtinë, së bashku me stafin mbështetës të udhëhequr nga Koordinatorja Nacionale për zgjedhje, Laura Pula, të cilët janë duke përcjellë të gjithë procesin zgjedhor për komunën e Drenasit.
Sipas njoftimit, Prokurori i Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës, janë të angazhuar për mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor.
Po ashtu, Prokurori i shtetit njofton të gjithë opinionin se do të reagojë në të gjitha rastet e incidenteve gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve, për çdo raportim apo keqpërdorim të votës.
Gjithashtu, do të merren masa konkrete në rastet e dezinformimit apo informimit të rrejshëm përmes portaleve dhe rrjeteve sociale.
Varësisht prej situatës se si rrjedhë procesi zgjedhor në këtë komunë, Prokurori i shtetit, do të njoftoj të gjithë opinionin me kohë përmes komunikatave apo edhe përmes konferencave për media, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.
04/12/2016 09:24
Menaxheri i Qendrës më të madhe të votimit në Drenas, në Shkollën “Rasim Kiqina”, Shefqet Bytyqi, ka demantuar informatën e plasuar më herët se në këtë qendër votimi ka pasur një parregullsi. Ai tha se në këtë qendër votimi nuk është regjistruar asnjë problem.
Në këtë qendër votimi janë 5 pika votimi, me gjithsej 3.996 votues të regjistruar.
04/12/2016 09:15
Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka dhe Kryeshefi Ekzekutiv i SKQZ-së, Enis Halimi, rreth orës 09:20-40 do të përcjellin nga afër procesin e votimit në Komunën e Gllogocit, në Qendrën e Votimit në Skollën Fillore “Rasim Kiqina”, që gjendet në qendër të qytetit.
Me këtë rast kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, do të prononcohet për media.
04/12/2016 09:10-KIZ: Shqetësues rasti në vendvotimin në Polluzhë
Koalicioni për Integritet Zgjedhor – KIZ, e vlerëson si shqetësues rastin në qendrën e votimit 0318E /01R – Polluzhë, ku sipas tyre, vëzhguesi i PDK-së i ka kërkuar të nënshkruhen të gjithë vëzhguesit e pranishëm në këtë vendvotim.
“Koalicioni veprimin e tillë e konsideron si të papranueshëm dhe si formë e presionit ndaj vëzhguesve të pavarur. Koalicioni njofton opinionin publik që është duke monitoruar të gjitha vendvotimet në Komunën e Drenasit, dhe do ju mbaj të informuar në kohë reale për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Drenas.”, thuhet në njoftimin e KIZ.
Sipas të dhënave nga monitoruesit e Koalicionit, nga 72 vendvotime 58 janë hapur me kohë, kurse 12 janë hapur me vonesë prej 10 deri 50 minutash. Në shumicën e vendvotimeve vonesat kanë ardhur për shkak të mungesës së materialit zgjedhor. Vonesat më të mëdha janë identifikuar në këto vendvotime, Gllobar vendvotimi 0321E/02 është hapur me 50 minuta vonesë, Qikatove e vjetër 0322E/ 02 është hapur me 50 minuta vonesë, Likoshan përkatësisht vendvotimi 0312E, është hapur me 40 minuta vonesë për shkak të mungesës se Kryesuesit të këshillit të vendvotimit, anëtarët tjerë kanë vendosur për hapjen e vendvotimit pa prezencën e kryesuesit”, thuhet në komunikatën e KIZ.
04/12/2016 08:51-Vonohet dërgimi i fletëvotimeve në Gllobar
Në fshatin Gllobar të Drenasit, ku po zhvillohen zgjedhjet për kryetar të komunës, është vonuar materiali sensitiv në qendrën e votimit 03 27 E.
Kjo qendër e votimin, shkolla “Naim Frasheri”, ka qenë e gatshme për funksionim, mirëpo materiali sensitiv ka arritur rreth gjysmë ore me vonesë, njofton Klan Kosova.
Drejtori i shkollës ka thënë që nuk mban përgjegjësi, përderisa bëri të ditur që ishin të detyruar të presin derisa t’u sillen fletët e votimit.
04/12/2016 08:23-DnV evidenton vonesa në hapje të vendvotimeve në Drenas
Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” është duke vëzhguar procesin zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenas me gjithsej 99 vëzhgues, përfshirë këtu 4 ekipe mobile dhe 8 vullnetarë në Qendrën e Thirrjeve.
Vëzhguesit e DnV-së nga terreni, informojnë se rreth 10 % të të gjitha vendvotimeve 72 vendvotimeve janë hapur me vonesë.
Vonesa të theksuara janë shënuar në këto vendvotime:
Vendvotimi 0327E/02D Gllobar, shkolla “Naim Frashëri” nuk është hap deri në 7:54 në mungesë të komisionerëve.
Vendvotimi 0322E/01R, në fshatin Qikatovë e Vjetër, shkolla “Deshmorët e Drenicës”, nuk është hapur deri në 7:43, për shkak se vendvotimi nuk ka qenë i rregulluar teknikisht.
Vendvotimi 0321E/02D, në Kishnarekë, shkolla “7 Marsi”, u hap në 7:40, në mungesë të materialeve.
Vendvotimi 0312E/01R, në Likoshan, shkolla “Rexhep Gjeli” deri në ora 7:35 nuk është hapur në mungesë të kryesueses së KVV-së.
Vendvotimi 0302E/03R, në Komoran, shkolla “Xheladin Gashi- Plaku”, është hapur në ora 7:28 në mungesë të një komisioneri, llabat ultravioletë jo funksionale dhe nuk janë bërë përgatitjet teknike.
Pjesa dërmuese e qendrave kanë qasje për persona me aftësi të kufizuar.
Nuk vërehet material propagandues zgjedhor është gjetur brenda perimetrit të lejuar.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë gjithsejt 52, 569 votues, janë 28 qendra të votimit me 72 vendvotime dhe në garë janë 6 kandidatë.
04/12/2016 08:18-Debat i nxehtë në mes komisionerit dhe vëzhguesve
Votimi në qendrën e votimit më të madhe në Drenas, filloi ashtu siç ishte paraparë, megjithatë vëzhguesit dhe komisioneri i KQZ-së, patën një debat të nxehtë se ku duhet të qëndrojë një vëzhguese.
Bëhet fjalë për vendvotimin 0301e/02R, në shkollën “Rasim Kiçina”, ku një vëzhguese qëndronte afër vendit ku qytetarët vendosin se për cilin subjekt politik të votojnë.
Derisa komisioneri i kërkonte që të mos të qëndrojë në atë pjesë, vëzhguesit reaguan duke i thënë se ai nuk ka të drejt të caktojë vendin atyre. Kurse, pas një debati, komisioneri largoi vëzhguesen nga ajo pjesë me arsyetimin se mund të pengojë votuesit.
04/12/2016 08:01-KQZ: Hapen me kohë të gjitha Vendvotimet në Drenas
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është shpërndarë sipas planifikimeve i gjithë materiali sensitiv nëpër të gjitha Qendrat e Votimit në Komunën e Drenasit.
Po ashtu, KQZ-ja bën të ditur se janë hapur me kohë të gjitha Vendvotimet në Komunën e Drenas për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës.
04/12/2016 01:23
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet në Komunën e Drenasit për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës, ku në garë janë 6 kandidatë.
Të drejtë vote kanë 52 mijë e 569 votues, ku krahasuar me zgjedhjet e fundit, të drejtë vote kanë edhe 2 mijë e 338 votues të rinj, apo 4.45% më shumë.
Të gjithë këta votues janë të shpërndarë në 28 qendra të votimit, me 72 vendvotime, të cilat janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Në garë për kryetar të Drenasit janë: Ramiz Lladrovci nga PDK, Isa Xhemajlaj nga koalicioni Nisma – AAK, Bedri Nika nga LDK, Vehbi Berisha nga Fjala dhe Xhavit Drenori i pavarur. Në lisën e votimit do të jenë edhe emrat e dy kandidatëve të pavarur që janë tërhequr nga gara Naim Bazaj dhe Rrahim Elshani, transmeton KosovaPress.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre.


