Please enter at least 3 characters.

KQZ certifikon rezultatet për kryetarë të 35 komunave dhe për anëtarë të 37 Kuvendeve Komunale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 74-të të këtij viti, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, ku ka marrë disa vendime të rëndësishme që lidhen me procesin zgjedhor të 12 tetorit.

Në këtë mbledhje, KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e kryetarëve të komunave të Prishtinës, Junikut dhe Mamushës, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka konfirmuar përmbylljen e të gjitha procedurave ankimore për këto komuna.

Po ashtu, është certifikuar rezultati përfundimtar për kryetarët e 35 komunave të tjera, përfshirë Gjakovën, Gjilanin, Prizrenin, Pejën, Ferizajn, Mitrovicën e Jugut, Skenderajn dhe Vushtrrinë.

Njëkohësisht, KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare për anëtarë të 37 kuvendeve komunale, ndërsa ka bërë të ditur se rezultati për Kuvendin Komunal të Drenasit nuk është përfshirë në këtë fazë, për shkak se lënda përkatëse ndodhet ende në shqyrtim në Gjykatën Supreme.

Pas shpalljes së rezultateve, subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesa në PZAP brenda afatit ligjor prej 48 orësh, duke filluar nga ora 15:00 e 3 nëntorit 2025.

Rezultatet e detajuara për zgjedhjet e kryetarëve dhe kuvendeve komunale mund të shihen në faqen zyrtare të KQZ-së: kqz-ks.org. /Telegrafi/