Kosova shpall “non grata” shefin e Telekomit të Serbisë
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka marrë vendim që shefi i Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq, të shpallet person i padëshirueshëm në Republikën e Kosovës.
Në një reagim në Facebook, Sveçla tha se vendimi është marrë bazuar në deklaratat publike të Luçiq, të cilat, sipas tij, cenojnë rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Askush nuk mund të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës dhe nga këtu, të veprojë apo të deklarohet kundër rendit tonë kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial. Nuk do të tolerojmë promovimin apo mbështetjen e politikave që cenojnë autoritetin e institucioneve tona dhe vënë në pikëpyetje shtetësinë e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.
Ai bëri të ditur se Lučićit i ndalohet hyrja, qëndrimi dhe kalimi transit në territorin e Kosovës.
“Për këtë arsye, bazuar në deklaratat publike të shefit të Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq, kam marrë vendim që ai të shpallet person i padëshirueshëm (non grata) në Republikën e Kosovës, me ndalim të përhershëm të hyrjes, qëndrimit dhe kalimit transit në territorin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ministri në detyrë.
Sveçla ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë, siç tha ai, të mbrojnë rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran. Institucionet tona do të vazhdojnë të mbrojnë me vendosmëri rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, ka përfunduar Sveçla.
Kush është Vladimir Luçiq?
Vladimir Luçiq është drejtor i përgjithshëm i kompanisë shtetërore Telekom Srbija që nga dhjetori i vitit 2020. Ai e ka ndërtuar karrierën brenda kësaj kompanie dhe konsiderohet një nga figurat më me ndikim në sektorin shtetëror të telekomunikacionit në Serbi.
Si drejtues i Telekom Srbija, Luçiq ka qenë zëri kryesor në mbrojtje të interesave të degës së saj MTS d.o.o., e cila operon në Kosovë. Ai ka kundërshtuar vazhdimisht vendimet e institucioneve të Kosovës që prekin funksionimin e MTS, duke argumentuar se kompania vepron në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. Nga ana tjetër, institucionet e Kosovës kanë ngritur dyshime se MTS nuk vepron si operator sipas legjislacionit të Kosovës dhe se aktiviteti i saj shoqërohet me elemente të funksionimit jashtë kornizës ligjore të vendit.
Gjatë viteve të fundit, Luçiq e ka vizituar Kosovën në mënyrë të rregullt, veçanërisht në periudhat e tensioneve rreth statusit të MTS. Në deklaratat e tij publike ai ka theksuar se mbrojtja e operimit të kësaj kompanie në Kosovë është një nga prioritetet kryesore të Telekom Srbija.
Qëndrimet e tij ndaj institucioneve të Kosovës kanë qenë vazhdimisht konfrontuese. Në deklaratat publike, ai ka shmangur njohjen e institucioneve të Kosovës si autoritete shtetërore dhe i është referuar vendit me terminologjinë zyrtare të Beogradit, "Kosovë dhe Metohi".
Luçiq konsiderohet gjithashtu një nga menaxherët më të afërt me politikën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Në vitin 2025 ai u pa duke marrë pjesë në një tubim të organizuar nga Partia Progresive Serbe (SNS), së bashku me presidentin Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë të lartë të pushtetit serb.
Emri i MTS është përmendur në raportime të ndryshme mediatike edhe në kontekstin e sigurisë në veri të Kosovës. Autoritetet e Kosovës kanë ngritur dyshime se kompania amë Telekom Srbija dhe dega e saj MTS kanë shërbyer si mekanizma mbështetës për strukturat ilegale serbe në veri, përfshirë organizatën terroriste "Mbrojtja Civile".
Gjithashtu, një nga të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë, Vladimir Radivojeviq ("Mami"), kishte qenë i punësuar në MTS si shofer i Zoran Milojeviq ("Zelja"), ish-zyrtar i SNS-së dhe figurë me ndikim në strukturat serbe në veri të Kosovës./Telegrafi/


