Kosova ka nevojë për shumë miq
Duke pranuar urimet e ambasadorit Fitou dhe institucioneve të Francës për zgjedhjen në detyrën e re, presidenti Pacolli theksoi se “Franca është mike e madhe e Kosovës dhe ambasadori Fitou gjithashtu është mik i madh i Kosovës”. Ai theksoi se Kosova ka nevojë për shumë miq, të cilët ajo (Kosova) do të dijë t’i respektojë dhe do të krijojë edhe miq të tjerë anembanë globit.
Presidenti Pacolli vuri theksin tek marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, duke falënderuar Republikën e Francës për ndihmën e saj të pakursyeshme në të kaluarën, e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Neve na nevojitet këshillat e Francës, në mënyrë që të mësojmë nga eksperienca juaj dhe të rrugëtojmë më shpejt drejt shtëpisë së madhe evropiane”, tha Pacolli.
Duke përmendur se Kosova ka një gjendje shumë të rëndë ekonomike dhe një shkallë të lartë të papunësisë dhe se asaj i duhet të ketë një rritje të madhe ekonomike, Presidenti Pacolli theksoi se vendi ynë ka nevojë shumë të madhe për zhvillim ekonomik dhe në këtë plan institucionet e Kosovës do të krijojnë një klimë sa më të favorshme për nxitjen e investimeve të huaja.
Ndërsa gjatë takimit me ambasadoren Ozan, Pacolli tha se Kosova dhe Turqia janë dy vende mike dhe me marrëdhënie shumë të mira mes veti. Ai gjithashtu tha se Kosova duhet të mësojë sa më shumë nga eksperiencat e Turqisë, ndërsa një theks të veçantë e vuri te bashkëpunimi ekonomik mes të dy vendeve, bashkëpunim ky që duhet të intensifikohet, duke krijuar mundësi më të mëdha për investime të investitorëve nga Turqia në Kosovë. /Telegrafi/


