Kosova dhe Malajzia
Çfarë ka të ngjashme shteti ynë, me atë të Malajzisë? Gjeografikisht jemi shumë larg, zonat kohore i kemi shumë të ndryshme, megjithatë këto dy vende e festojnë vitin e ri pothuajse në të njëjtën kohë, edhe pse zona kohore e Malajzisë është GMT +8 kurse e jona GMT +1... Atje viti i ri kishte ardhur 7 orë më herët, ku të gjithë i pamë në ekranet televizive se si pikërisht në orën 00.00 kishin filluar fishekzjarrët (madhështore dhe në mënyrë të organizuar). Mirëpo ajo që më bëri përshtypje ishte se pikërisht në ato momente (ndoshta edhe më herët) në qiellin i cili shihej jashtë dritares së shtëpisë time ishte përafërsisht e njëjta pamje, d.m.th kosovarët kishin filluar që të festojnë vitin e ri qysh para Malajzisë, apo më mirë të themi, çuditërisht kishim filluar të festojmë vitin e ri qysh para orës 17.00 edhe pse realisht ende gjendeshim në vitin 2009. Por përse ndodhë kjo?
Përgjigjja spontane do të ishte se ne jemi ballkanas,të padurueshëm, jemi “gjaknxehtë”, si dhe e duam zhurmën, nëse jo me armë atëherë me fishekzjarr dhe me petardë (apo sido që ti quajmë). Por unë mendoj se përgjigjja në këtë pyetje shtrihet në një rrafsh tjetër. Populli kosovar filloi të festonte me fishekzjarr qysh më herët se çdo vend tjetër, sepse u gëzua pa masë që ky vit përfundoi. Qytetari në këtë vit përjetoi degradim të madh, ishte dëshmitar i daljes në shesh të shumë të vërtetave të dhimbshme, shpërdorimit të parave publike, korrupsionit të frikshëm, tenderomanisë, zgjedhjeve të para (jo) demokratike dhe (jo) të ndershme të organizuara nga vet ne, ZANZI-SMS-ave si dhe Tisës së mallkuar. Ishim dëshmitar i të gjithë asaj që nuk e prisnim të ndodhte e që në fakt as nuk duhej të ndodhte. E kuptuam se vendi më i sigurt, është njëkohësisht edhe vendi më i pasigurt (dhoma e mbajtjes së dëshmive), si dhe asaj që ishte shumë e dhimbshme se sovraniteti dhe integriteti i shtetit tonë nuk është ai të cilin uruam para një viti (protokollet e EULEX-it).
Sido që të jetë, të gjitha këto ndodhën në vitin 2009, dhe pikërisht kjo si duket na shërbej si “rationale” që edhe kësaj radhe të mos e prishim traditën tonë dhe të fillojmë festimet qysh 6-7 orë para ndërrimit të mot-moteve, dhe kjo na bën të i lakmojmë Malajzisë që e përfundon vitin më herët se ne. Prandaj jo rastësisht jemi në TOP-LISTËN e popujve më optimist në botë. Pikërisht nata e vitit të ri është natë së cilës duhet të i gëzohemi , sepse ajo prezanton një fillim të ri, një shpresë të re e cila rilind në qenien tonë, një shpresë se viti i ardhshëm do të jetë vit i cili do ofroj të kundërtën e vitit paraprak, ku nuk do të ketë përçmime e degradime si dhe të paktën disa nga pritjet të cilat realisht janë shumë modeste do të realizohen.
Të gjithë ne i kemi pritjet tona të cilat thënë të drejtën janë shumë të ngjashme me ato të 31 dhjetorit 2008. Pensionisti do të uroj për ngritje të pensionit, i sëmuri do të uroj për një sistem shëndetësor më kualitativ, studenti për një edukim më të mirë, invalidi i luftës për respekt më të madh, i papuni për punë, i punësuari për ngritje të pagës..PDK-ja për qëndrim të mëtutjeshëm në pushtet, AAK për zgjedhje të parakohshme, si dhe fëmijët do të urojnë që politikanët të “mos ua marrin përsëri të gjitha dhuratat e tyre”.
Sa do të realizohen këto pritje mbetet të shihet në të 2011-tën. Të jemi të sigurt që të gjitha problemet nuk zgjidhen brenda vitit, mirëpo shpresoj që në 31 dhjetorin e këtij viti, të paktën do të kemi arsye që festimet të i fillojmë pikërisht kur arrin ora 00.00 sipas zonës kohore GMT+1 e jo asaj të Malajzisë GMT+8.
Gëzuar e 2010-ta.
Shëndet!


