Kosova avancon drejt SEPA-s, Ismaili diskuton reformat me të nominuarin për drejtor të FMN-së
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ismail Ismaili, ka zhvilluar takim me Ettl, të nominuarin për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), me ç’rast është diskutuar për zhvillimet në sektorin financiar të Kosovës, reformat rregullative dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Guvernatori Ismaili e uroi Ettl-in për nominimin dhe theksoi pjesëmarrjen aktive të Kosovës në Konstituencën e FMN-së. Ai shprehu bindjen se përvoja e Ettl-it në fushën e stabilitetit financiar, mbikëqyrjes dhe rregullimit bankar, si dhe në çështjet financiare ndërkombëtare, do të kontribuojë në përfaqësimin efektiv të të gjithë anëtarëve të Konstituencës në Bordin Ekzekutiv të FMN-së.
Gjatë takimit u vlerësua edhe bashkëpunimi ndërmjet BQK-së, Autoritetit të Tregut Financiar të Austrisë dhe Bankës Kombëtare të Austrisë, përfshirë shkëmbimin e ekspertizës dhe vizitën e Guvernatorit Ismaili në selinë e FMA-së gjatë vitit të kaluar.
Ismaili e informoi Ettl-in për zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, performancën dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, si dhe reformat dhe prioritetet strategjike të BQK-së.
Sipas BQK-së, gjatë takimit është theksuar se sistemi financiar i Kosovës vazhdon të karakterizohet nga stabiliteti, me institucione financiare që kanë nivele të qëndrueshme të kapitalizimit dhe likuiditetit, mbikëqyrje të avancuar dhe kornizë rregullative të fuqizuar.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua progresit në mbikëqyrjen e bazuar në rrezik dhe Procesit të Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP), si dhe përgatitjeve për fillimin e raportimit FINREP dhe COREP nga viti 2027.
Në fokus ishte edhe përafrimi i vazhdueshëm i kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse bankare të Kosovës me standardet prudenciale të Bashkimit Evropian dhe kornizën e Bazelit. Në këtë kuadër u diskutua edhe puna për vlerësimin e ekuivalencës me Autoritetin Bankar Evropian (EBA) dhe hapat e mëtejshëm për përmbushjen e kërkesave evropiane.
Takimi trajtoi gjithashtu reformat në fusha të tjera të sektorit financiar, përfshirë forcimin e mbikëqyrjes për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, sigurinë kibernetike, qëndrueshmërinë operacionale, mbrojtjen e konsumatorit, përfshirjen financiare dhe transformimin digjital të shërbimeve financiare.
Në veçanti, Guvernatori Ismaili prezantoi prioritetet e BQK-së për modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Kosovë. Sipas tij, vendi po avancon drejt integrimit në SEPA, zhvillimit të platformës TIPS Clone për pagesa të menjëhershme dhe zgjerimit të shërbimeve inovative të pagesave digjitale.
Këto reforma, sipas BQK-së, synojnë afrimin e mëtejshëm të sistemit financiar të Kosovës me ekosistemin evropian të pagesave, si dhe rritjen e efikasitetit dhe qasjes në shërbimet financiare.
Në fushën e stabilitetit financiar, Ismaili prezantoi punën e BQK-së për forcimin e analizës makro-financiare, stres-testimeve dhe monitorimit të rreziqeve sistemike, përfshirë edhe rreziqet e lidhura me klimën.
Palët diskutuan edhe themelimin e funksionit të përmbylljes së bankave në kuadër të Ligjit të ri për Bankat, i cili përcakton BQK-në si autoritetin përgjegjës për përmbylljen e bankave në Kosovë. Në këtë kuadër u diskutua zhvillimi i mëtejshëm i kornizës ligjore, institucionale dhe operacionale për planifikimin e rimëkëmbjes dhe përmbylljes së bankave, me mbështetjen e Bankës Botërore përmes FinSAC.
Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe FMN-së përmes asistencës teknike dhe zhvillimit të kapaciteteve në mbikëqyrjen bankare, stabilitetin financiar, analizën dhe parashikimin makroekonomik, asistencën emergjente të likuiditetit, menaxhimin e rrezikut kibernetik, qeverisjen e bankës qendrore dhe përgatitjen për kriza.
Ai shprehu mirënjohje për menaxhmentin e FMN-së dhe Drejtorin Ekzekutiv aktual, Yigit Yasar, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj BQK-së dhe agjendës së reformave në Kosovë.
Ndërkaq, Ettl vlerësoi progresin e BQK-së në forcimin e kapaciteteve institucionale, avancimin e reformave rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe përafrimin e kornizës së stabilitetit financiar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Ai rikonfirmoi rëndësinë e ruajtjes së bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FMN-së dhe autoriteteve të Kosovës.
Takimi përfundoi me zotimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës, FMN-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, me fokus në stabilitetin financiar, zhvillimin institucional, modernizimin dhe integrimin evropian të sektorit financiar të Kosovës.


