Korrupsioni, hetime parlamentare
“Pas diskutimit në Kuvend rreth raportit të Komisionit hetimor, grupi parlamentar që e ka iniciuar hetimin, mund të kërkojë nga instancat përgjegjëse që ta marrin lëndën si bazë për hetime të mëtutjeshme, krejt kjo për faktin se Kuvendi nuk mund ta kryejë apo të interferojë në punën e prokurorisë dhe të gjyqësisë”, ka thënë nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, i cili ka shtuar se partia e tij do ta shfrytëzojë mundësinë që i është dhënë dhe tash e tutje nuk do ta denoncojë korrupsionin vetëm përmes deklarimeve publike.
Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli, ka njoftuar se brenda grupit parlamentar që ai drejton, janë ngritur disa ide rreth hetimeve parlamentare, por se ato, sipas tij ende janë në fazën e zhvillimit. Makolli ka thënë se Kuvendi nuk është gjyqësor për të shpallur fajësinë e dikujt, por është organ që të paktën mund të arrijë dy efekte përmes hetimeve të tij: të shpallë ‘dënime politike’ dhe mund të krijojë bazë për organet kompetente që t’i vazhdojnë hetimet.
Lulzim Zeneli nga LDD konsideron se në Kosovë janë krijuar rrethana që në një formë ia imponojnë Kuvendit që të ngrejë komisione hetimore. Ai nuk beson se partitë në pushtet do të jenë të gatshme për t’i mbështetur nismat për komisionet hetimore, përkundër zotimeve të kryeministrit Hashim Thaçi se do të jetë në ballë të betejës kundër dukurive që e dëmtojnë interesin e shtetit. /KD/Telegrafi/


