Konsola retro e Segës Dreamcast merr videolojëra të reja, edhe pse prodhimi u ndërpre 25 vjet më parë
Konsola legjendare Sega Dreamcast vazhdon të jetë aktive edhe më shumë se dy dekada pas ndërprerjes së prodhimit, pasi zhvillues të pavarur po krijojnë ende lojëra të reja për të.
Dreamcast ishte konsola e fundit shtëpiake e prodhuar nga Sega dhe prodhimi i saj u ndërpre në vitin 2001.
Pavarësisht moshës së saj, komuniteti i adhuruesve të video-lojërave retro vazhdon ta mbështesë këtë platformë.
Një nga projektet më të fundit është loja "White Creek", një titull horror psikologjik që po zhvillohet për Dreamcast dhe do të publikohet në format fizik, duke lejuar që të luhet edhe në pajisjen origjinale.
Dreamcast u lançua në fund të viteve ’90 dhe ishte një nga konsolat më inovative të kohës, duke qenë ndër të parat që ofroi lidhje të integruar me internetin dhe video-lojëra online.
Megjithatë, konkurrenca e fortë nga PlayStation 2 e detyroi Segën të tërhiqej nga tregu i konzolave.
Edhe pse nuk pati sukses komercial, Dreamcast sot konsiderohet një nga konsolat më të veçanta në historinë e video-lojërave, ndërsa vazhdimi i zhvillimit të lojërave të reja tregon se ajo ende ka një bazë të përkushtuar fansash. /Telegrafi/


