Konjufca në Hungari kritikon BE-në për vizat: Nëse na thoni se duhet të presim do të ishte dëshpëruese
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Hungarisë.
Nga foltorja e Kuvendit të Hungarisë, Konjufca tha se mund të konkludojnë me një bindje të plotë që siguria, paqja, zhvillimi dhe demokratizimi i rajonit është tërësisht i varur nga garancia e anëtarësimit të shteteve tona në BE.
Në të kundërtën ai tha se gjendja do të ishte tejet jostabile dhe e pakontrollueshme po të shuhej shpresa për të qenë një ditë edhe Kosova anëtare me të drejta të plota të familjes evropian.
Kryeparlamentari Konjufca drejtoi edhe kritika ndaj BE-së lidhur me liberalizimin e vizave.
“Ne do t’i plotësojmë kriteret, ne do t’i bëjmë reformat, ne do t’i shndërrojmë shoqëritë tona, duke e forcuar sundimin e ligjit, duke e luftuar korrupsionin fuqishëm dhe duke e bërë shoqërinë më të barabartë por edhe ekonominë më të zhvilluar. Por nëse BE-ja thotë se pavarësisht kësaj, ju duhet të na prisni sepse ne kemi nevojë për disa vite të thellohemi, kjo do të ishte dëshpëruese dhe e parikuperueshme. Ajo që ndodhi me dështimin e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës është një shembull mjaft negativ i keqmenaxhimit të procesit”, është shprehur Konjufca.
Fjalimi i plotë i Konjufcës:I nderuari President i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, Lazslo Kover,I nderuari Kryeministër Viktor Orban,Të dashur kryetarë të Parlamenteve I dashuri komisioner Varhelyi.Jam tejet i gëzuar që Presidenti Kover na bashkoi të gjithëve këtu në kryeqytetin e bukur të Hungarisë, në Budapest. Kontinenti ynë po del dalëngadalë nga një krizë e madhe të cilën e shkaktoi pandemia.Edhe dy muaj bëhen dy vite prej kur u shfaq në botë virusi COVID 19. Bota ndryshoi përgjithmonë. Gati 4,5 milionë njerëz e gjetën vdekjen nga ky virus i rrezikshëm. Kurse ekonomia gjithandej pësoi goditje të rëndë.Por pikërisht nga kjo tragjedi lindi edhe një solidaritet më i madh mes shteteve e popujve. Njerëzimi po triumfon. Të gjithë po e kuptojmë më mirë se vetëm të bashkuar e dukë i ndihmuar njëri-tjetrit mund t’u bëjmë ballë të papriturave që mund të na i sjell koha.Mbi të gjitha po e çmoj këtë nismë të Presidentit Kover meqë diskutimi ynë sërish po përqendrohet në procesin e zgjerimit të BE-së. Shteteve tona të Ballkanit Perëndimor kjo ua shton edhe më tepër shpresat për një të ardhme të sigurt e të përbashkët në familjen e madhe e demokratike evropiane.Na ishte një kohë para 20 vitesh kur BE-ja e kuptonte më mirë se ne rëndësinë fundamentale të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor. 2 dekada prapa, me keqardhje mund të konstatojmë që për herë të parë në histori të Evropës, është pikërisht Ballkani Perëndimor që po e kupton më mirë se BE-ja domosdoshmërinë e zgjerimit.Të dashur zonja dhe zotërinj, mund të konkludojmë me një bindje të plotë që, siguria, paqja, zhvillimi dhe demokratizimi i rajonit tonë është tërësisht i varur nga garancia e anëtarësimit të shteteve tona në BE. Gjendja do të ishte tejet jostabile dhe e pakontrollueshme po të na shuhej shpresa për të qenë një ditë edhe ne anëtarë me të drejta të plota të familjes evropiane.


