Please enter at least 3 characters.

Komuna e Mitrovicës së Jugut hap regjistrimin e nxënësve në klasën e parë për vitin shkollor 2026/27

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka njoftuar se më 15 maj nis regjistrimi i fëmijëve në klasën e parë për vitin shkollor 2026/27, proces që do të zgjasë deri më 15 qershor 2026.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Arsimit, regjistrimi do të bëhet në të gjitha shkollat fillore të komunës së Mitrovicës dhe do të realizohet në bazë të Udhëzimit Administrativ të MAShTI-t nr. 09/2023 për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë.

Komuna ka bërë të ditur se fëmija regjistrohet në klasën e parë pasi të ketë mbushur moshën minimale gjashtë (6) vjeç, ndërsa regjistrimi para kësaj moshe lejohet vetëm në raste të veçanta, kur ekziston vlerësim dhe rekomandim nga një ekip profesional i caktuar nga shkolla.

Në njoftim thuhet se ekipi profesional për vlerësim përbëhet nga psikologu, pedagogu, mësuesi mbështetës i shkollës dhe profesionistë të tjerë, derisa vendimin përfundimtar e merr drejtori i shkollës.

Po ashtu, për fëmijët me diagnozë mjekësore, para regjistrimit parashihet referimi te ekipi komunal për vlerësim pedagogjik në Drejtorinë Komunale për Arsim, në komunën përkatëse.

Sa i përket dokumentacionit, prindërit/kujdestarët ligjorë duhet të sigurojnë certifikatën ose ekstraktin e lindjes, certifikatën e vaksinimit dhe dëshminë për vendbanim nga bashkësia lokale (jo më të vjetër se gjashtë muaj), si dhe dokumentet identifikuese të prindit/kujdestarit ligjor. Formulari i regjistrimit plotësohet në momentin e regjistrimit pranë institucionit arsimor.

Në njoftim theksohet gjithashtu se regjistrimi bëhet duke u bazuar në sistemin e zonimit të përcaktuar nga komuna, ndërsa për detaje të tjera prindërit do të informohen nga shkolla në të cilën i takon të regjistrohet fëmija. /Telegrafi/