Kolagjeni premton flokë më të dendur dhe më pak rënie: Shkenca zbulon çfarë mund të bëjë vërtet
Shumë njerëz e marrin me shpresën se do t’ua rikthejë flokët, por provat shkencore tregojnë një histori më të ndërlikuar nga ajo që premtojnë reklamat
Vitet e fundit, kolagjeni është bërë një nga suplementet më të njohura mes personave që dëshirojnë flokë më të fortë, më të dendur dhe më të shëndetshëm. Reklamat dhe rrjetet sociale shpesh e paraqesin si një zgjidhje të thjeshtë kundër rënies së flokëve dhe për nxitjen e rritjes së tyre, por shkenca ende nuk i mbështet të gjitha premtimet e mëdha që lidhen me këtë proteinë.
Kolagjeni është proteina më e përhapur në trupin e njeriut dhe përbën një pjesë të rëndësishme të lëkurës, eshtrave, tendinave, kërcit dhe indit lidhor. Ai njihet më së shumti për rolin e tij në ruajtjen e elasticitetit dhe fortësisë së lëkurës, por vitet e fundit është lidhur gjithnjë e më shumë edhe me shëndetin e flokëve.
Megjithatë, ekziston një dallim i madh ndërmjet faktit se kolagjeni është i rëndësishëm për organizmin dhe pretendimit se marrja e tij në formë suplementi e nxit drejtpërdrejt rritjen e flokëve.
Çfarë thotë shkenca për kolagjenin dhe flokët?
Ekspertët shpjegojnë se kolagjeni mund të ketë rol në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm për folikulat e flokëve, pasi merr pjesë në ndërtimin e lëkurës dhe të indit lidhor. Megjithatë, kjo nuk do të thotë automatikisht se suplementet e kolagjenit do ta përshpejtojnë rritjen e flokëve ose do ta parandalojnë rënien e tyre.
Sipas revistës Health, aktualisht nuk ka prova të mjaftueshme shkencore cilësore që vërtetojnë se kolagjeni, i marrë si suplement, çon në rritje më të shpejtë të flokëve. Shumë studime kanë pasur numër të kufizuar pjesëmarrësish dhe kohëzgjatje të shkurtër, ndërsa disa janë financuar nga kompanitë që prodhojnë suplemente. Për këtë arsye, rezultatet duhet të interpretohen me kujdes.
Një studim i vitit 2023 tregoi se kombinimi i kolagjenit të hidrolizuar të peshkut me përbërës të tjerë, si taurina, cisteina, metionina, hekuri dhe seleni, mund t’u ketë ndihmuar personave që përballeshin me rënie të flokëve.
Megjithatë, studimi zgjati vetëm 12 javë, pjesëmarrësit përdorën edhe trajtime të tjera dhe u financua nga prodhuesi i suplementit. Prandaj, ekspertët paralajmërojnë se rezultatet nuk mund t’i atribuohen vetëm kolagjenit, transmeton Telegrafi.
Çfarë mund ta ndihmojë vërtet shëndetin e flokëve?
Në vend që të mbështetemi vetëm te suplementet, ekspertët këshillojnë t’i kushtohet vëmendje asaj që i nevojitet organizmit për ta prodhuar vetë kolagjenin.
Marrja e mjaftueshme e proteinave, vitamina C dhe një ushqyerje e larmishme kanë rol të rëndësishëm në sintezën natyrale të kësaj proteine. Megjithatë, as ushqyerja e duhur nuk garanton se flokët do të rriten automatikisht më shpejt ose do të bëhen më të dendur, sepse në cilësinë e tyre ndikojnë shumë faktorë.
Nëse vini re rënie të papritur të flokëve, rrallim ose ndryshim të strukturës së tyre, shkaku shpesh nuk është vetëm mungesa e kolagjenit. Problemi mund të lidhet me çrregullime hormonale, mungesë vitaminash dhe mineralesh, stres, çrregullime të gjëndrës tiroide ose gjendje të tjera shëndetësore.
Për këtë arsye, dermatologët këshillojnë që, kur ndryshimet janë të theksuara, fillimisht të gjendet shkaku i vërtetë dhe jo të provohet zgjidhja e problemit vetëm me suplemente.
Kolagjeni nuk është zgjidhje magjike për flokët
Kolagjeni ka rol të rëndësishëm në funksionimin normal të organizmit dhe në shëndetin e lëkurës, por aktualisht nuk ka prova të mjaftueshme se suplementet e tij, të përdorura më vete, mund ta ndalin rënien e flokëve ose ta përshpejtojnë rritjen e tyre.
Me fjalë të tjera, premtimet për efektin “e mrekullueshëm” të kolagjenit te flokët, tani për tani, i përkasin më shumë botës së marketingut sesa fakteve të vërtetuara shkencërisht. /Telegrafi/


