Please enter at least 3 characters.

Këtu në Gjeorgji, festivalet tona janë plot, por poetët tanë janë në burg

Archil Kikodze

Protestat kundër qeverisë vazhdojnë, por të rinjtë tanë po largohen. Tubimet kulturore, gjithnjë e më të varfëruara, janë bërë vende ku unë gjej ngushëllimin.

Nga: Archil Kikodze, shkrimtar, aktor, skenarist dhe fotograf gjeorgjian / The Guardian (titulli: Here in Georgia our festivals are full, but our poets are in prison - and now we feel abandoned by Europe)
Përkthimi: Telegrafi.com

“Ata duan që ne të mos e shohim më njëri-tjetrin, të humbasim kontaktin, të ndihemi vetëm”, më tha shkrimtari islandez Sjón. Me “ata” ai nënkuptonte forcat e errëta që po ngrihen në mbarë botën: populistët, fashistët, fundamentalistët.

Kjo ndodhi në shtator të vitit 2025, në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë në Tbilisi, ku morën pjesë më shumë njerëz se kurrë më parë. Sallat ishin plot dhe mendoj se të gjithë të pranishmit ndiheshin mirënjohës ndaj të ftuarve të huaj që kishin ardhur - në shenjë sfide ndaj “atyre”.

Nuk mendoj se të vish në Tbilisi është një akt i madh heroizmi - ende jo. Por, tashmë kam shembuj të panumërt njerëzish që nuk vijnë më - njerëz që e kanë për zemër këtë qytet dhe këtë vend, njerëz që e kuptojnë kontekstin, që nuk kanë nevojë t’ua shpjegosh gjërat. Mungesa e tyre më jep një ndjenjë krejtësisht të re dhe të panjohur braktisjeje.

- Lexo po ashtu: Letër nga Mzia Amaglobeli - nga qelia e burgut në Gjeorgji

Evropianët që kanë hedhur rrënjë këtu gjatë dekadave, po largohen nga Tbilisi. Shumica prej tyre erdhën në vitet ‘90 të shekullit XX, në misione humanitare. Babai im, me shaka, i quante “refugjatë kulturorë”. Ata u dashuruan me këtë vend dhe qëndruan këtu përgjithmonë. Por, asgjë nuk zgjat përgjithmonë, dhe largimi i tyre më tingëllon si një kambanë alarmi.

Edhe të rinjtë tanë po largohen. Në heshtje, pa bujë. Mendon se dikush është ende këtu sepse vazhdon të jetë aktiv në rrjetet sociale, dhe pastaj rezulton se ai tashmë po përpiqet të vendoset në Lisbonë, Dublin ose Berlin.

Jemi tepër pak për të krijuar komunitete dhe diaspora jashtë vendit. Thjesht do të shpërndahemi, do të shpërndahemi nëpër botë dhe do të zhdukemi. Ose më saktë, do të zhduket ajo pjesë e jona që e do mendimin dhe që është e paaftë për lajka.

Për ne që mbetemi këtu, festivalet letrare dhe ngjarjet e ngjashme kulturore janë vende ku mund të marrësh frymë lirshëm. Sheh njerëz me të njëjtin mendim dhe u thua sa i lumtur je që i takon diku tjetër, e jo në një nga protestat që vazhdojnë qëkur qeveria ndaloi negociatat e Gjeorgjisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dyert e festivalit janë të hapura për të gjithë, por konformistët e regjimit nuk kanë nevojë të takojnë autorë të huaj apo gjeorgjianë. Ata tashmë i dinë të gjitha.

Në Festivalin e Librit ishte një karrige bosh për poetin Zviad Ratiani. Dy muaj më parë, ai në fakt e kishte detyruar arrestimin e vet duke përsëritur veprimin e një të burgosure tjetër politike, gazetares jokonformiste Mzia Amaghlobeli, e cila kishte goditur me shuplakë një polic.

Ratiani besonte se veprimi i tij do të ndryshonte diçka. Herën e fundit që e pashë ishte në gjykatë. Ai qëndroi në këmbë gjatë gjithë seancës, duke mbështjell cigaren me duart e veta. Edhe refuzimi i tij për t’u ulur në karrigen e të pandehurit ishte simbolik.

Ratiani tani është në burg. Megjithatë, shpesh më duket sikur e shoh në rrugët e qytetit, duke ngatërruar rregullisht kalimtarët me të.

Në Festivalin Vjetor të Filmit në Tbilisi, në dhjetor, emri që dëgjohej më shpesh nga skena ishte ai i një tjetër të burgosuri të regjimit, aktorit Andro Chichinadze. Çdo folës e përmendte Chichinadzen, i shndërruar nga një i ri simpatik dhe i talentuar në një hero dhe simbol të rezistencës.

I pashë të gjithë filmat, madje edhe filmin Dy prokurorët të regjisorit ukrainas Sergei Loznitsa, që trajton represionin stalinist nga një këndvështrim i ri. Duke ndjekur shembullin e Rusisë, kulti i Joseph Stalinit është nxjerrë nga pluhuri edhe këtu në Gjeorgji dhe, për habinë time, ai është gjallë. Ringjallja e Stalinit përkon me rilindjen e ideve më absurde të mesianizmit gjeorgjian. Profesorë të panjohur dhe pseudoshkencëtarë kanë filluar të flasin për veçantinë e qytetërimit gjeorgjian.

Festivali u hap me filmin biografik italian Duse. E pyeta personin pranë meje pse ishte zgjedhur një vepër kaq e mërzitshme si film hapës, dhe ai ma ktheu me pëshpëritje se jashtë, në hollin e kinemasë, ishte një bufe me disa shishe vere të dhuruara, për festivalin, nga ambasada italiane.

Atëherë gjithçka u bë e qartë.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tbilisi ka qenë gjithmonë i varfër, por këtë herë ishte thjesht i rrënuar financiarisht.

Pavarësisht varfërisë së tij, festivali ka pasur gjithmonë të ftuar interesantë që vinin me kënaqësi këtu. Dhe, ne prisnim me padurim t’i takonim, të merrnim pjesë në master-klasat e tyre dhe në ligjëratat publike.

Këtë herë kishte vetëm një të ftuar të huaj: aktorin që luante Benito Mussolinin në film. Më shpëtoi skena dhjetëminutëshe ku shfaqej Musolini, sepse më zuri gjumi, por u zgjova pas shfaqjes për të parë në skenë aktorin e Il Duçes - me qafën e trashë dhe nofullën katrore - duke thënë se Tbilisi ishte një qytet i bukur. Pse pikërisht Musolini, nga të gjithë njerëzit? Ndoshta aktori ishte thjesht në Tbilisi si turist dhe vizita e tij përkoi me festivalin.

Publiku më emocional në festival ishte ai i shfaqjes së filmit Nouvelle Vague të Richard Linklaterit. Askush nuk donte të shkonte në shtëpi më pas; të panjohurit përqafoheshin, pinin cigare së bashku. Ky gëzim dhe entuziazëm dukej krejt i vërtetë.

“Ne jemi pjesë e kësaj, gjithmonë kemi qenë, dhe ata duan të na e shkëpusin këtë lidhje”, më tha një grua e brezit tim, të cilën e njoh nga tubimet e protestave.

Me “këtë”, ajo kishte parasysh Evropën. /Telegrafi/